Qeveritarët te shfrenuar në luks, qytetarët në varfëri
Prishtinë, 17 mars - Në Kosovë papunësia kalon shifrën prej 30%, ndërkohë më shumë se 17% e qytetarëve e kalojnë ditën me më pak se 2 euro në ditë. Në anën tjetër kemi jetën luksoze të qeveritarëve që nuk ia dijnë fundin pasurisë së tyre.
Gati 3/4 e të papunëve janë të papunë afatgjatë, pra për më shumë se 12 muaj të papunë. Dhe, pothuajse 1/3 e të rinjëve të moshave midis 15 dhe 24 vjeç nuk janë as të punësuar, as në shkollim dhe as në ndonjë trajnim. Shkalla e punësimit tek këta është vetëm 8,5%.
Andaj sot aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes vendosjes së këtyre billboardave paraqiten hendekun e thellë mes mjerimit në Kosovë si pasojë e qeverisjeve me mendësinë e Hashim Thaçit dhe luksit të djalit të Hashim Thaçit, i cili shëtit gjithë botën dhe bën një jetë të tillë vetëm pse është i biri i Presidentit.
"Në këto kushte të ndarjes së thellë shoqërore, liberalizimi i vizave, duke falur edhe tokë përmes marrëveshjes së Demarkacionit, do t'i shërbente djalit të presidentit dhe llojit të tyre që të shijojnë botën, ndërkohë, qytetarët e zakonshëm vazhdojnë të përballen me mbijetesë", thekson Vetëvendosje.
Në Shqipëri, edhe pse tashmë ka liberalizimin, janë mbi 11 mijë raste të ndalimit për tu futur në BE për shkak se të njejtit s'kanë të holla të mjaftueshme për të arsyetuar udhëtimin e tyre.
"Një liberalizim i këtillë i shërben vetëm bijëve të politikanëve që edhe ashtu, siç po e shohim përmes fotografive, po e shijojnë botën".