Qeveria zvicerane miratoi masa më strikte për bankat e mëdha

Bern, 21 prill - Qeveria zvicerane miratoi masa më strikte për bankat helvetike, që të mund të jenë konform kërkesave të ashpra financiare për të përballuar kriza të mundshme.
Këto masa synojnë administrimin e rreziqeve organizative që mund të shfaqin bankat e mëdha "UBS" dhe "Credit Suisse", saktësohet në një deklaratë të Këshillit Federal (qeveria).
Teksti i miratuar nga qeveria është dërguar në parlament, ku duhet të miratohet një ligj i cili do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2012, sipas deklaratës.
Në fillim të tetorit 2010, një komision ekspertësh i rekomandoi Zvicrës miratimin e masave edhe më të ashpra se ato të parashikuara në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare.