Qeveria vonon pagat e 76 mijë punëtorëve në sektorin publik
Prishtinë, 2 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsideron se një qeveri që nuk mund të planifikojë dhe të paguajë me rregull as punëtorët e saj, nuk ka aftësi dhe përgatitje për të nxjerrë Plan Nacional të Zhvillimit Ekonomik.
\"Për shkak të keqmenaxhimit të buxhetit të shtetit me projekte të pamenduara si duhet, buxheti i shtetit po hynë në deficit gjithnjë e më të thellë. Qeveria e Kosovës nuk po paguan dhjetëra miliona euro obligime për projekte të kryera nëpër fusha të ndryshme\", thuhet në një reagim të LDK-së.
Ajo që është e patolerueshme sipas LDK-së ka të bëjë vonesat e vazhdueshme në pagesën e pagave të të punësuarve në sektorin publik, si shërbyesit civilë, arsimtarët, mjekët dhe punëtorët e tjerë në administratën shtetërore.
\"Vonesa në paga punëtorëve të administratës po ju shkakton probleme të shumta, pasi shumica prej tyre pagën e kanë burim të vetëm të të ardhurave. Po ashtu, shumë prej tyre po paguajnë dënime dhe interesa ndëshkuese në banka për shkak të vonesave në pagesën e kredive\".