29 Maj 2023

Qeveria vendos për Projektligjin për Skemat Pensionale, rrezikohen mijëra pensionistë

Prishtinë, 26 maj - Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar paragrafin 2 të nenit 8 te Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale, sepse në mënyrë diskriminuese përmes këtij neni mijëra qytetarë duke mos e përmbushur kriterin e përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999 nuk e kanë gëzuar pensionin kontributdhënës, por vetëm atë të moshës.

Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thekson se në të njejtën kohë, këto dispozita do të shfuqizohen me 15 korrik 2023.

Në rastin kur Qeveria nuk respekton këtë datë sipas IKD-së do të jenë qytetarët ata që do të pësojnë më së shumti.

 Ata gjithnjë sipas IKD-së do të detyrohen të paguajnë avokatë për të ngritur padi në Gjykatat Themelore për të gëzuar të drejtën e pensionit kontributdhënës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak se do të gjenerohen shpenzime procedurale, kjo situatë mund të dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës.

Por, Qeveria ka planifikuar që projektligjin që synon të adresojë kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, vetëm në Qeveri, ta miratoj me 30 korrik 2023.

"Afati i përcaktuar nga Qeveria është në kundërshtim me kërkesat e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në sistemin kushtetues të Kosovës, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekuivalente me normën kushtetuese. Kështu, ky veprim i Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës."

"Veprimet e nevojshme për adresimin e kërkesave në bazë të aktgjykimit nënkuptojnë hyrjen në fuqi të projektligjit të ri për skemat pensionale me 15 korrik 2023 dhe jo miratimin e projektligjit në Qeveri me 15 ditë vonesë. Duke pasur parasysh që edhe Kuvendi i Kosovës shkon në pushim në fund të muajit korrik dhe fillimi i punës së Kuvendit nis të hënën e dytë të muajit shtator, atëherë miratimi final i projektligjit do të bëhet me vonesë prej disa muajve", thekson IKD.

IKD shpreh shqetësimin e thellë për papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës në lidhje me mos zbatimin e kërkesave të plota që dalin nga Aktgjykimi në rastin nr. KO190/19. Vonesat në miratimin e këtij projektligji nga Qeveria shkelin të drejtat e mijëra pensionistëve të Kosovës dhe paraqesin mos zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

IKD, kërkon që me rastin e miratimit të projektligjit në Qeveri, të respektohen standardet minimale të pjesëmarrjes së publikut në konsultime publike me qytetarë dhe grupeve të interesit dhe më pas një projektligj i tillë të miratohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ky ligj të hyj në fuqi jo më vonë se data 15 korrik 2023.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)