Qeveria vazhdon të shkelë ligjin duke politizuar ndërmarrjet publike
Prishtinë, 11 nëntor - INDEP, GLPS dhe GAP kanë vlerësuar se Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon të shkelë Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me rastin e zgjedhjes së anëtarëve të bordeve të këtyre ndërmarrjeve.
Kjo u vërtetua edhe në mbledhjen e 54-të të Qeverisë, në të cilën u shtua edhe më tej lista e të emëruarve politik në bordet e ndërmarrjeve publike. Këto vendime janë shqetësuese për institutet tona dhe janë reflektuar si të tilla edhe në Raportin e Progresit të publikuar sot.
Më 18 shtator, INDEP, GAP dhe GLPS kishin reaguar publikisht ndaj këtyre vendimeve duke i cilësuar si shkelje të Neneve 17.2 (k) të Ligjit Nr.03/L-087 (Shih reagimin në shtojcën 1). Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike është i qartë në formulimin që:
17.2 Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse:
k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;.
Gjithashtu, Ligji ka qartësuar se çka nënkuptohet me të emëruar politik sipas kuptimit të Ligjit.
I emëruar politik - nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.
Në reagimin tonë ndaj Qeverisë, ne kishim faktuar që këto vendime ishin joligjore dhe jolegjitime. Ato jo vetëm që ishin në kundërshtim të ligjit, por edhe shkelnin parimin e barazisë para konkursit publik dhe bënin favorizimin politik si kushtin bazë për tu bërë anëtar të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe dëmtonin drejtëpërdrejtë pavarësinë e tyre. Këtë reagim ne e dërguam në Qeverinë e Kosovës dhe tek deputetët e Kuvendit me shpresën që në radhë të parë Qeveria, do të reflektonte dhe do të ndryshonte qasjen e deritanishme.
Me datë 15 shtator 2015, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Z. Fitim Krasniqi, me anë të një shkrese i ishte përgjigjur shqetësimit tonë (shih përgjigjen e z. Krasniqi në Shtojcën 2). Ndër të tjera z. Krasniqi theksonte:
Për njoftimin tuaj, Komisionet të cilat janë rekomanduese kanë vlerësuar kandidatët që kanë aplikuar vetëm duke u bazuar në dosjen të cilën ata e kanë dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit (sekretariatin ad-hoc) me rastin e aplikimit. Në konkurs, gjithnjë duke u bazuar në Ligjet përkatëse janë cekur të gjitha kushtet kur një kandidatë ka të drejtë apo nuk ka të drejtë të konkurroj për këto pozita e njëri ndër këto kushte ka qenë edhe paragrafi:
është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.
Më tutje në përgjigjen e z. Krasniqi thuhet që kandidatët janë obliguar të nënshkruajnë një Deklaratë nën Betim se ata nuk ishin të përfshirë në aktivitete politike dhe se nuk ishin të emëruar politik. Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike parasheh ndëshkimet në rast të dhënies së një deklarate të rrejshme nën betim:
15.13 Çdo person i cili konstatohet se me vetëdije ka dorëzuar një deklaratë të rrejshme ose mashtruese nën betim sipas paragrafit 5 të këtij neni, ose i cili konstatohet se ka ndikuar ose është përpjekur të ndikojë në një Komision Rekomandues në kundërshtim me paragrafin 10 të këtij neni, konsiderohet të ketë kryer vepër penale dhe i nënshtrohet një gjobe prej 10,000 Euro.
Nëse, personi në fjalë është shërbyes civil, Qeveria menjëherë do ta largojë atë nga shërbimi civil; nëse personi në fjalë është zyrtar i zgjedhur politik, Qeveria do tia raportojë shkeljen dhe emrin e zyrtarit Kuvendit.
Duke pasur parasysh që për këto pozita kishin konkurruar 1814 kandidat, ne e konsideruam mundësinë që Qeverisë së Kosovës dhe komisionit përzgjedhës të i kishte ikur kjo gjë pa e vërejtur. Gjithashtu, ishim të vetëdijshëm për kapacitetet e limituara të Qeverisë për të bërë hulumtim të prapavijës së secilit kandidat. Për këtë, ne hartuam edhe një letër tjetër dhe e dorëzuam atë në Qeveri me datën 22 tetor për ti dhënë listën e kandidatëve të cilët ne i kishim gjetur të zgjedhur në kundërshtim me Ligjin.
Jo vetëm që Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur më në letrën tonë të dytë, por ka vazhduar që në kundërshtim me Ligjin të emërojë figura politike në këto poste. Në mbledhjen e 54-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë emëruar edhe tetëmbëdhjetë anëtar të rinjë në bordet e ndërmarrjeve publike.
Në bordin e ndërmarrjes publike Ujësjellësi Radoniqi, Sh.A, Gjakovë është zgjedhur edhe z. Qazim Qeska. Z. Qeska ishte kryetar i komunës së Rahovecit nga radhët e PDK-së. Më pas, ai ishte emëruar Zëvendës Ministër i Bujqësisë, post ky që e mbajti deri në formimin e Qeverisë së re të Isa Mustafës. Ky emërim është tërsisht politik dhe në kundërshtim me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.
Në të njëjtën ndërmarrje është zgjedhur edhe znj. Arbënesha Kuçi e cila në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ishte kandidate e PDK-së për Asamblenë e Gjakovës.
Ky emërim është në kundërshtim me Ligjin dhe e emëruara në fjalë është politike dhe nuk është e pavarur. Në të njëjtën listë është edhe z. Zeqir Fetoshi, ish kandidati i PDK-së për Asamblenë e Rahovecit në në cilën garë kishte marrë 433 vota. Si asamblist që është, z. Fetoshi është i emëruar politik dhe nuk mund të jetë pjesë e ndërmarrjes publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit Radoniqi, Sh.A, Gjakovë. Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë vendimin 05/54.
Vendimi tjetër i marrë po ashtu në mbledhjen e 54-të të Qeverisë ishte ai për emërimin e anëtarëve në bordin e ndërmarrjes publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini Sh.A. Pejë. Kryesuesi i këtij bordi, z. Burim Basha i kishte prirë listës së Aleancës Kosova e Re në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai është i emëruar politik dhe nuk ka pasur të drejtë të konkurrojë për këtë pozitë. I emëruari tjetër është z. Musë Mushkolaj i cili ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2013 për Asamblenë e Deçanit. Pra, edhe z. Mushkolaj ligjërisht nuk mund të ishte i emëruar për këtë post.
Ndër vendimet e mbledhjes së 54 të Qeverisë së Kosobës ishte edhe zgjedhja e anëtarëve në ndërmarrjen publike Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, Sh.A. Ndër të emëruarit janë edhe dy anëtar të kryesisë së LDK-së në Mitrovicë, z. Zukë Beqiri dhe Burhan Maxhuni. Edhe në këtë rast ka pasur shkelje ligjore sepse kemi të bëjmë me poste të larta në parti politike. Lista e të zgjedhurve politik tashmë është rritur edhe më tej:
Konflikti ligjor
1. Naser Canolli - Anëtar i bordit të NP: Aeroporti i Gjakovës Naser Canolli, figuron në listën e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky organ, në bazë të Statutit të PDK-së, është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht hynë nën dispozitat e neneve 17.2 dhe 15.13 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe Nenit 2.3 të Ligjit Nr. 04/L-144 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike. (Shih Shtojcën 1)
2. Nuri Bahtjari - Anëtar i bordit të NP: Aeroporti i Gjakovës. Nuri Bahtjari ka garuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Prishtinë për Asamblenë Komunale nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Z. Bahtjari kishte garuar me numrin 28 dhe kishte marrë 94 vota. (Shih Shtojca 2)
3. Zenun Shala - Anëtar i bordit të NP: Aeroporti i Gjakovës. Zenun Shala ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Kishte marrë 823 vota (Shih Shtojca 3).
4. Milos Dimic - Anëtar i bordit të NP: INFRAKOS. Dimic ka kandiduar për Asamblenë e Komunës së Graqanicës për vitin 2013 (Shih Shtojca 4)
5. Nexhat Dedia - Anëtar i bordit të NP: INFRAKOS. Ka marrë mbi 400 vota në zgjedhjet lokale të vitit 2013 si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.
6. Drita Konxheli - Anëtar i bordit të NP: Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Znj. Konxheli ka qenë kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zwgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014.
7. Musa Misini - Anëtar i bordit të NP: Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Misini ka qenë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014.
8. Anita Cucovic - Anëtar i bordit të NP: Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Znj. Cucovic ka qenë kandidate e koalicionit VAKAT në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014.
9. Bujar Hasimi - Anëtar i bordit të NP: Hekurudhat e Kosovës. Bujar Hasimi ka qenë kandidat i LDK-së për asambleist në Prishtinë në vitin 2013 dhe ka marrë 217 vota. (Shtojca 8).
10. Brikenda Kryeziu - Anëtare e bordit të NP: Aeroporti i Gjakovës dhe Nënkryetare e degës së LDK-së në Gjakovë deri në prill të vitit 2014. Në maj 2015, me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, znj. Kryeziu zgjedhet anëtare e kryesisë së LDK-së në Gjakovë. (Shtojca 9)
11. Qazim Qeska - Anëtar i bordit të NP: Kompania Rajonale e Ujësjellësit Rradoniqi, Sh.A. Gjakovë dhe ish kryetar i Rahovecit nga radhët e PDK-së dhe zëvendës ministër i Bujqësisë në mandatin e kaluar.
12. Arbënesha Kuçi - anëtare e bordit të NP: Kompania Rajonale e Ujësjellësit Rradoniqi, Sh.A. Gjakovë dhe kandidate e PDK-së për Asamblenë e Gjakovës në vitin 2013
13. Zeqir Fetoshi - Anëtar i bordit të NP: Kompania Rajonale e Ujësjellësit Rradoniqi, Sh.A. Gjakovë dhe kandidat dhe Asambleist i PDK-së në komunën e Rahovecit në vitin 2013.
14. Burim Basha - Anëtar i bordit të NP:Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini Sh.A. Pejë. I ka prirë listës së kandidatëve të AKR-së në Pejë në vitin 2013.
15. Musë Mushkolaj - Anëtar i bordit të NP:Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidrodrini Sh.A. Pejë. Kandidat i PDK-së për Asamblenë e Deçanit në vitin 2013.
16. Zukë Beqiri - Anëtar i bordit të NP:Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, Sh.A dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.
17. Burhan Maxhuni - Anëtar i bordit të NP:Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, Sh.A dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë.
18. Pranvera Dobruna - Anëtare e bordit të NP: Korporata Energjetike e Kosovës zgjedhur me vendim qeveritar të vitit 2013 dhe kandidate e AAK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.
Instituti INDEP, Instituti GAP dhe GLPS shprehin edhe njëherë shqetësimin e tyre në lidhje me këto vendime politike dhe të paligjshme dhe i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të rishikojë menjëherë dhe të shfuqizojë këto vendime. Në Raportin e Progresit për vitin 2015, të publikuar sot, ndër të tjera thuhet:
Rekrutimet dhe promovimet në bazë të meritës janë të sublimuara në ligj në linjë me parimet e administrimit publik, por nuk janë të implemtuara vazhdimisht. Kjo vlenë veçanërisht për pozitat e larta në shërbimin civil dhe emërimet në bordet e entiteteve publike, në të cilat influenca politike gjatë emërimeve është shqetësuese.[1]
Shqetësimi i shoqërisë civile është shfaqur hapur edhe nga Raporti i Progresit por edhe nga ambasadorët e kuintit të caktuar në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të rishqyrtojë vendimet e paligjshme për emërimet në bordet e ndërmarrjeve publike dhe të sigurojë trajtim të barabartë të pjesëmarrësve në konkurs publik dhe pavarëinë e bordeve të ndërmarrjeve publike. Ky veprim është jetik për të korrigjuar një precedent të rrezikshëm të shkeljes së ligjit nga ana e vet Qeverisë.