Qeveria të bashkëpunojë me gastronomet para marrjes së vendimeve
Prishtinë, 12 gusht - Qeveria duhet të jetë në konsultim të ngushtë me komunitetin e biznesit para marrjes së çfarëdo masave që kanë ndikim direkt në këto biznese. Kjo u tha mes të tjerash në takimin e rregullt të komitetit të Gastronomisë dhe Turizmit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Anëtarët e këtij komiteti vlerësojnë së është e domosdoshme të shpejtohet votimi dhe fillimi i aplikimit të pakos së rimëkëmbjes ekonomike të propozuar nga Qeveria, sepse shumë biznese në këtë sektor rrezikojnë të mbyllen, duke rezultuar kështu në humbje të mëdha të vendeve të punës.
Ndërsa, sipas tyre, një çështje tjetër me rëndësi për t’u trajtuar është edhe ajo mbi pasiguritë e mbarëvajtjes së punës siç është caktuar deri më tani në ambiente të hapura pas muajit shtator, kur kushtet klimatike do të pamundësojnë një gjë të tillë.
Komiteti i Odës Amerikane për Gastronomi dhe Turizëm thekson se është më se e nevojshme të zbatohen vendimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe të rriten kapacitetet inspektuese, dhe jo të aplikohen kufizime kolektive për të gjitha ndërmarrjet për shkak të moszbatimit të masave nga një numër ndërmarrjesh.
Për më tepër, anëtarët e këtij komiteti bëjnë thirrje edhe për heqje të masës për kufizim të lëvizjes pas orës 22:30, e cila sipas tyre nuk është se ka dëshmuar të jetë efektive.
Ky komitet ka për qëllim adresimin e nevojave të sektorit të gastronomisë dhe turizmit si në periudhën afatshkurtër, pra për fazën e rimëkëmbjes ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ashtu edhe në atë afatgjatë.