16 Nëntor 2024

Qeveria shpenzon për 13 për qind më pak për mallra dhe shërbime

Prishtinë, 4 maj - Nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën mori vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Isa Mustafa, në fillim të mbledhjes foli lidhur me raportin tremujor financiar të Qeverisë.

“Me këtë raport kemi konstatuar se gjatë këtyre tre muajve kemi më pak shpenzime për mallra dhe shërbime për 13 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të viti të kaluar. Sa i përket derivateve dhe lëndëve djegëse, shpenzimet janë më të ulëta për 20 për qind.\"

\"Sa i përket blerjes së mobilieve, pajisjeve, janë më të ulëta për 27 për qind. Sa i përket shërbimeve të telekomunikimit, janë më të ulëta për 15 për qind dhe shpenzimet e udhëtimit janë më të ulëta për 33 për qind, kemi ulje evidente”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke iu referuar kritikave ndaj Qeverisë për vazhdimin e shpenzimeve të larta.

Kryeministri Mustafa thekoi se përkundër argumenteve për uljen e shpenzimeve, këto fare nuk e minimizojnë atë se të gjithë duhet të sillen në mënyrë të ndërgjegjshme ndaj pasurisë qeveritare.

“Ka kritika edhe në medie, por edhe kemi argumente të njerëzve tanë, të cilët kanë qenë këtyre ditëve në Durrës dhe vendet e tjera, se atje po shkohet me makina qeveritare dhe me to po bëhen pushime jashtë vendit.\"

\"Ne duhet të marrim masa që kjo të mos ndodhë. Nuk është politikë e Qeverisë që dikujt t’i lejohet që të marr makinën zyrtare dhe të shkojë jashtë vendit për pushime. Unë do të kërkojë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të ndalohen të gjitha makinat ditëve të vikendit dhe ditëve të festës, por edhe ditëve të tjera që shkojnë jashtë, pa e dëshmuar se ato shkojnë atje për qëllime zyrtare”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se me këtë synohet jo vetëm të kursehet, por që të gjithë zyrtarët të sillen në mënyrë ligjore ndaj pronës që e disponojnë.

Ndërkaq, duke iu referuar faktit se është arritur që të ulen shpenzimet, kryeministri theksoi se duhet të arrihet poashtu të flaket njëherë e përgjithmonë një sjellje, e cila nuk është sjellje as shtetërore dhe as zyrtare ndaj një pjese të pronës, dhe se askush nuk ka të drejtë të përdorë makinat zyrtare dhe pasurinë zyrtare për çështje private.

“Ju kërkoj juve që jeni në krye të ministrive, do ta bëjë atë edhe sekretari i Kryeministrisë me sekretarët e përgjithshëm të ministrive, që të vihet rregull këtu, sepse këto nuk janë çështje të cilat janë lejuar nga Qeveria.\"

\"Ne kemi kërkuar nga dita e parë që të sillemi në mënyrë racionale dhe të përdorim mjetet për punë. Në qoftë se ne do të punojmë shumë, do t’i përdorim edhe natën, edhe ditën, edhe vikendeve, do t’i rrisim shpenzimet, por do të kryejmë punë për Qeverinë, e jo të shpenzojmë për nevoja që nuk janë nevoja qeveritare”, u shpreh kryeministri Isa Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)