Qeveria shpenzon 493 milionë euro në tremujorin e dytë të 2019
Prishtinë, 5 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore.
Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe (TM2 2019).
Shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për TM2 2019 ishte 610.8 milionë euro.
Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 57% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
Në TM2 2019, totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 493.9 milionë euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve (32%), kontributet sociale dhe përfitimet (27%), formimi i kapitalit bruto (18%) dhe konsumi i ndërmjetëm (11%).
Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve.