17 Nëntor 2024

Qeveria shpall konkurs për zgjedhjen e bordeve NP-ve

Prishtinë, 14 janar - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë se Kosovës është miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike.

Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike sipas të cilit me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndonjë ndërmarrje shoqërore, ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, përfshirë asetet e tyre dhe të autorizojë Qeverinë që këtë ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë e caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e merr këtë vendim nëse për një veprim të tillë ekziston një interes madhor publik.

Në mbledhje është theksuar rasti i “Trepçës” për të cilin Qeveria e Kosovës në bashkëpunim edhe me Kuvendin e Kosovës do të punojë në plotësimin e kuadrit ligjor për të mundësuar që “Trepça” të vazhdojë punën dhe të jetë një nga shtyllat e zhvillimit të saj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e bordeve të drejtorëve për ndërmarrjet publike:

-  KOSTT; Posta e Kosovës;  ANP-Kontrolli Ajror “Adem Jashari; Aeroporti i Gjakovës; Ibër-Lepenc; KMDK; TrainKos; InfraKos; KRU Prishtina; KRU HidroMorava-Gjilan; KRU Hidroregjioni JugorPrizren; KRU HidroDrini-Pejë; KRU Mitrovica; KRU Radoniqi-Gjakovë; KU Radoniqi-Dukagjini-Gjakovë; KU Drini i bardhë-Pejë.

Kabineti qeveritar ka debatuar për pezullimin e përkohshëm të shtesave në paga, për kategori të veçanta të profesioneve deficitare në shërbimin civil dhe të nëpunësit publik, në të gjitha organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës. Qeveria ka marr vendim që më së largu brenda dy javësh, të bëhet analiza nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Financave dhe të sillet për miratim vendimi që do të rregullojë në mënyrë unike dhënien e shtesave për shërbyesit civil dhe nëpunësit publik nga Buxheti i Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndarje të mjeteve financiare për organizimin  e zgjedhjeve  të jashtëzakonshme në komunën e Graqanicës. Ky vendim është përsëritje e vendimit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës për arsye se mjetet e ndara vitin e kaluar nuk kanë arritur të shpenzohen.

Në mbledhjen e sotme, është miratuar vendimi që Qeveria e Republikës së Kosovës të autorizojë ministrin e Financave për nënshkrim të Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtarë për Zhvillim, për Projektin e Efiçencës së Energjisë dhe Energjinë  e Ripërtëritshme.

Është aprovuar edhe vendimi që Qeveria e Republikës së Kosovës të autorizojë ministrin e Financave që të nënshkruaj Marrëveshjen e Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtarë për Zhvillim lidhur me Projektin për Reformën Shëndetësore në Kosovë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike për bartjen e Divizionit të Sistemit të Pagave nga Ministria e Administratës Publike në Ministrinë e Financave.

Në mbledhjen e sotme ka marr miratimin edhe Udhëzimi Administrativ për përbërjen, detyrat, përgjegjësitë dhe procedurën e vendimmarrjes së Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Udhëzimi i aprovuar është në përputhje me Direktivën mbi standardet e përbashkëta dhe procedurat në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian për kthimin e shtetasve të vendeve të treta me qëndrim të paligjshëm.  

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka njohur kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen në “Marshin e Paqes” në Paris, së bashku me presidenten Atifete Jahjaga. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ka dëshmuar përkrahjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për luftën kundër terrorizmit dhe solidaritetin me popullin dhe shtetin francez.

Në vazhdim, zëvendëskryeministri dhe ministri Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin edhe me vizitën në Tiranë dhe për takimet e zhvilluar në të cilat është debatuar për perspektivën e integrimeve evropiane të rajonit si dhe për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e cila planifikohet të zhvillohet nga mesi i marsit të këtij viti në Shqipëri

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)