Qeveria prioritet primar hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë
Prishtinë, 20 maj - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pas aprovimit nga Qeveria të vendimit për rritjen e Pensionit Kontributpagues të Moshës, sipas përgatitjes shkollore, tha se ky vendim përmirëson dukshëm mirëqenien e pensionistëve kontributpagues.
Në një konferencë për media, ministri Abrashi tha se një vendim i tillë është konkretizuar pas konsultimeve gati njëvjeçare me pensionistët dhe në konsultim me Ministrinë e Financave dhe me FMN-në.
Ashtu siç kemi proklamuar, pensioni bazë tash do të jetë 158 euro, që veç ka filluar nga janari të paguhet, kurse nga ky muaj fillon pagesa e pensioneve tjera apo përshkallëzimi që do të jetë deri në shumën prej 230 euro. Diferenca për 41 mijë e 500 pensionistë, aq sa pranojnë pensione në këtë kategori, do të bëhet gjatë javës së ardhshme në mënyrë retroaktive nga janari, tha ministri Abrashi, duke theksuar se pensionistët këtë muaj do të marrin pensionin me ngritje, plus diferencën nga secila shkallë e marrin nga janari.
Ministri Abrashi shprehu përkushtimin e Qeverisë për të punuar edhe për kategoritë tjera.
Ashtu siç është thënë dje nga vetë pensionistët, Lidhja e Pensionistëve, pas 17 vitesh po kthehet shpresa edhe në shtetin e Kosovës, edhe në Qeveri. Besoj që ky është një lajm i mirë për të gjithë. Ne me këtë vendim mbyllim një kapitull dhe i hapim rrugë vetes që të punojmë edhe për kategoritë tjera, u shpreh ministri.
Ai, më tej tha se pas punëve të mira për kategorinë e atyre që janë në përfitime të asistencës sociale, që kanë pasur ngritje prej 25 për qind, edhe çështja e veteranëve ka filluar të paguhet, përkundër vështirësive.
Ministri Abrashi, theksoi se tashmë vëmendja e plotë e Qeverisë dhe e Ministrisë do të jetë tek rinia dhe masat aktive të punësimit.
Ne jemi duke kaluar një ligj për pensionet bazike dhe kjo nënkupton ndalesën e pensioneve për ata që nuk jetojnë në Kosovë. Mendojmë se kjo skemë është shfrytëzuar nga shumë qytetarë që në njëfarë mënyre e kanë letërnjoftimin e Kosovës, por nuk jetojnë këtu. Praktikat ndërkombëtare thonë që ky lloj pensioni, që realisht është asistencë e pleqërisë, nuk praktikohet të merret nga qytetarët që nuk jetojnë në atë vend. Megjithatë mjetet që ne i kursejmë do të ndikojnë në masa tjera, qoftë në skema tjera në kuadër të ministrisë, qoftë edhe masa aktive për punësim, me fokus të veçantë rininë e Kosovës, tha ministri Abrashi.
Ministri Abrashi, foli edhe për vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme ndërmjet Agjencisë së Pyjeve të Kosovës me Komunën e Pejës, që mundëson hapjen e më shumë vendeve të punës.
Ideja është për ndërtimin e një qendre të skijimit dhe rekreative turistike, me një numër të madh të të punësuarve. Unë e di që Komuna e Pejës ka gjetur pjesën më të madhe të investitorëve, prandaj edhe ky është një lajm i mirë për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në fushën e turizmit, tha ministri Abrashi.