05 Nëntor 2024

Qeveria përkrahëse e fushës së inovacionit dhe ndërmarrësisë

Prishtinë, 25 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në të cilin u prezantua puna e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe ku u diskutuan hapat e mëtutjeshëm për zhvillim në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, nuk ka njeri në glob, që nuk është i ekspozuar domosdoshmërisht të ecë me ato që ndodhin në jetën e njerëzimit, me pak fjalë, me atë që konsiderohet një revolucion digjital dhe në këtë drejtim edhe Kosova është pjesë e kësaj lëvizjeje.

“Jemi para një presioni të madh, si kohor, si të kërkesave praktike të mënyrës së jetesës, të bërit ekonomi, të veprimit të vlerës së re, pra një revolucion është duke ndodhur në botë dhe ne nuk bëjmë përjashtim, duhet të bëhemi të përgjegjshëm me këtë dhe të gjejmë perspektivën tonë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se populli i Kosovës është një prej vendeve që ka shtrirje shumë të gjerë të përdoruesve të internetit, si dhe fakti tjetër, që mbi 70 për qind e prodhimit ose veprimtarisë në teknologji informative biznesore është për eksport, flet shumë.

“Ne kemi plot sfida sa i përket zhvillimit ekonomik. Arsimi dual është sfidë, trajnimi, kualifikimi i mëtejmë për këto trende globale të të bërit biznes, po ashtu është sfidë dhe jam i interesuar si Qeveri, pas parasysh faktin që kemi ministrinë e Inovacionit, kemi fondin, që t’iu qëndrojmë afër të gjithë atyre që janë ekzistues në të bërit biznes në teknologji ose digjital ekonomi dhe atyre që janë kandidatë potencialë në të ardhmen”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se janë këtu ta japin kontributin e tyre në fjalën e dhënë të Kryeministrit, i cili këtë vit e ka shpallur si vit ekonomik dhe për  të prezantuar punën që është bërë deri tash nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, bashkëpunimin që kanë pasur me të gjitha institucionet vendore si dhe me bashkëpunëtorët ndërkombëtar, siç është fjala për bashkëpunimin e shkëlqyer me GIZ-in gjerman.

“Kemi hartuar Strategjinë Kombëtare për Inivacion dhe Ndërmarrësi. I kemi hapur rrugë Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi duke e dërguar në Kuvend. Me përkrahjen e jashtëzakonshme të Kryeministrit Haradinaj, kemi kryer shumë punë në këtë fushë, dhe po vazhdojmë të bëjmë punë të mëdha. Ministria e Inovacionit këtë vit ka fondin prej 12 milion euro, dhe presim që ky fond të rritet fale përkrahjes së partnerëve tanë strategjik. Pritet së shpejti të realizohet projekti në vlerë prej 8 milion eurove nga Banka Botërore”, tha ministri Beqaj i cili më pas propozoi që të ndryshohet emri i Këshillit nga Këshilli për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Koalicionin Digjital.

Kryeministri Haradinaj në këtë takim tha se Kosova duhet të shndërrohet në një komb ekonomik dhe digjital dhe se përkrahja e rreth 160 bizneseve fillestare dhe investimi në Parkun Inovativ dhe Trajnues, janë dy veprime konkrete, të agjendës ekonomike që ka Qeveria dhe në këtë drejtim, do të ofrohet mbështetja e nevojshme për nismat e kësaj natyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)