15 Nëntor 2024

Qeveria përgatitet për grantin e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit

Prishtinë, 12 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e parë të Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin u diskutua për përgatitjet e Qeverisë për fillimin e programit të investimeve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation - MCC).

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), është agjenci qeveritare amerikane e themeluar nga Kongresi Amerikan më 2004, i cili ndihmon shtetet në zvogëlimin e varfërisë nëpërmjet rritjes së qëndrueshme ekonomike në fushat e ndryshme si arsimi, bujqësia, transporti, shëndetësia, financat dhe zhvillim të ndërmarrjeve, iniciativat anti-korrupsion dhe të drejtat pronësore.

Kosova në fund të vitit të kaluar është përzgjedhur përfituese për programin “Kompakt”, nivel i cili nënkupton që Kosova mund të përfitojë një shumë substanciale të asistencës së MCC, në një periudhë me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe uljes së varfërisë.

Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve, tha se Kosova ka arritur që për herë të parë të jetë kandidate dhe të pranohet e t’i plotësojë kriteret për t’u financuar nga kjo organizatë shumë prestigjioze amerikane.

“Ne kemi plotësuar shumë kritere që kanë të bëjnë edhe me forcimin e shtetit ligjor, edhe me luftën kundër korrupsionit, që kanë të bëjnë edhe me kriteret tjera të ofrimit të kushteve për zhvillimin e biznesit. Mirëpo, si kritere të tilla janë kritere të cilat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por janë kritere të cilat evaluohen në mënyrë të rregullt çdo vit, në mënyrë të pandërprerë. Andaj, duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që të krijojmë dhe të arrijmë që të zhvillojmë prosperitet në përplotësimin e mëtutjeshëm të këtyre kritereve”, tha kryeministri Mustafa.

Duke iu referuar gjendjes aktuale në Kosovë dhe ushtrimit të dhunës, kryeministri Mustafa e ka përshkruar si jo shumë të favorshme.

“Por, duhet të kërkojmë prej të gjithëve që të ruajmë institucionet, të vazhdojmë të përmirësojmë pozitën tonë dhe të arrijmë që të plotësojmë në të ardhmen edhe kushtet tjera që kërkohen para nesh. Por, po ashtu, të mendojmë se cilat projekte nga fusha të ndryshme i konsiderojmë si projekte prioritare për t’i kandiduar më vonë për financim nga Korporata e Sfidave të Mileniumit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa tha se përbërja e komisionit që do të merret më këtë çështje është shumë kompetente, dhe se do të merret me identifikimin e projekteve dhe të programeve të cilat do të kandidohen gjatë takimit me përfaqësuesit më të lartë të MCC-së.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, theksoi hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet për mbikëqyrje të mbarëvajtjes së reformave, sipas kritereve që janë të përcaktuara nga MCC-ja.

Sa i përket listës së projekteve prioritare, ministri Hoti, tha se janë përgatitur një numër dokumentesh prej të cilave mund të nxirret një listë e projekteve prioritare, të cilat mund të përgatiten sipas kërkesave të MCC-së.

“Ne e kemi Programin Qeverisës 2015-2018, i cili i jep orientimet e kësaj Qeverie, të këtij koalicioni qeverisës. Për herë të dytë sivjet e kemi përgatitur programin për reforma ekonomike ku janë të specifikuara veprimet konkrete që i marrim gjatë këtij viti si Qeveri dhe përfundimisht Strategjinë Kombëtare Zhvillimore e cila i përcakton në katër shtylla kryesore projektet dhe reformat që do t’i ndërmarrim”, tha ministri Hoti, duke theksuar edhe rëndësinë që menjëherë të ndërmerren veprime dhe të krijohen strukturat e nevojshme brenda Qeverisë që të marrin përsipër koordinimin e gjithë këtij procesi mjaft kompleks.

Këshilltari Politik për Integrim Evropian i Presidentes Jahjaga, Adrian Prenkaj, theksoi nevojën për fokusim në hartimin e një programi të qartë të asistencës. “Duhet që një ekip i Kosovës të hartojë një analizë të pengesave për zhvillim dhe pastaj duhet të fillojmë të hartojmë projekte sektoriale të cilat kanë një qëllim, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kërkohet një bashkërendim i gjerë i të gjitha institucioneve i të gjitha agjencive me qëllim që të marrim një pamje të vërtetë të sektorëve prioritar”, tha Prenkaj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)