02 Maj 2024

Qeveria pa koncept për zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 1 prill - Në një tryezë mbi politikat ekonomike me temë “Sfidat ekonomike 2011 plus”, ku është prezantuar edhe një buletin nga Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Riinvest, opozita dhe njohës të fushës së ekonomisë kanë adresuar kritika ndaj qeverisë vendor për mungesë të strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe gjithashtu kanë kritikuar edhe mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Edhe pse ishin të ftuar zyrtarë qeveritarë si zëvendëskryeministrja në fushën e ekonomisë, njëherë ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, asnjëri prej tyre nuk ka qenë prezent.

Lideri i partisë opozitare më të madhe në vend LDK, njëherë kryetar i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka plan për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Problemi themelor është që ne nuk kemi strategji të zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe çdo gjë që po bëjmë tani, duke filluar nga buxheti, nga privatizimi edhe i ndërmarrjeve shoqërore dhe kompanive publike po e bëjmë pa një strategji. Kjo do të thotë se nuk e dimë se ku po çojmë vendin në pikëpamje edhe të zhvillimit ekonomik dhe perspektivës tonë ekonomike dhe perspektivës për integrime evropiane”, ka theksuar Mustafa.

Ai gjithashtu ka dhënë kritika për seancat e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk ka më diskutime përmbajtjesore dhe nuk ka vullnet që të dëgjohen argumentet.

Ndërkaq, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Qeveria Thaçi e ka një tendencë të shndërrimit të kuvendit më shumë teknik, se sa politik, në kuptimin që çështjet madhore zakonisht po merren vendimet dhe tash vetëm duhet të miratohet.

Për më tepër, ai ka shtuar se përveç mungesës së strategjisë për zhvillim ekonomik, qeveria e tanishme nuk ka as prioritet dhe kjo shihet në buxhetin e miratuar.

“Deri tash nuk kemi pas koncept të zhvillimit ekonomik në Kosovë e cila është paraqitur nga Qeveria e Kosovës, natyrisht kur nuk ki koncept të zhvillimit ekonomik, nuk ki as plan strategjik dhe kur nuk i ke këto të dyja natyrisht që nuk ke as prioritete. Kjo është parë edhe me buxhetin që ka dëshmuar se kjo qeveri nuk ka prioritete. Tjera prioritete i vendos në publik dhe tjera prioritete i zbaton përmes ndarjes dhe alokimit të hyrave publike”, ka theksuar Ymeri.

Ndërsa drejtori në Institutin Riinvest, Lumir Abdixhiku ka thënë se ekonomia e vendit varet nga burime të paqëndrueshme, që në një kohë të afërt mund të ndërpriten.

Sipas raporteve të UNDP-së Kosova ka mbi 43 për qind të papunë, mbi 34 për qind në varfëri me më pak se 1.43 euro në ditë. Ka mbi 18 për qind varfëri të skajshme ose më pak se 94 centë në ditë. Sipas drejtorit të Riinvestit këta parametra të rënduar ekonomik inkurajojnë krimin dhe ekonominë e zezë dhe për më tepër janë barrë për çdo qeveri.

Ndryshe, në raportet e Bankës Botërore Kosova renditet në vendin 163 për të filluar biznes, për të marrë leje ndërtimi renditet në vendin e 174, ndërsa për mbrojtjen e investitorëve rendit në vendin 173.

Ndërsa nga buletini i prezantuar nga Friedrich-Eber-Stiftung dhe Instituti Riinvest, del se numri i tenderëve një burimor në vitin 2010 ka qenë 170 milion euro. Ndërsa pritjet për inflacionin për këtë vit parashihet të jenë 5.3 për qind apo edhe më shumë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)