Qeveria ndan 1 milion euro për Shqipërinë dhe 500 mijë për Kosovën
Prishtinë, 7 dhjetor - Në bazë të propozimit të kryeministrit Hashim Thaçi Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 149-të ka marrë vendim që të akordoj 1 milion euro ndihmë për përmbytjet në Shqipëri dhe 500 mijë euro për rajonet e përmbytur në Kosovë.
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës që të solidarizohen me qytetarët e Shqipërisë dhe të mbajnë dyert hapur për të krijuar strehë për ato familje që kanë pësuar nga vërshimet.
Kosova sipas tij ka vënë në dispozicion të shtetit shqiptar tërë potencialin e vet njerëzor dhe material që gjendja në Shkodër dhe rrethinën e saj të tejkalohet sa më shpejt dhe sa më lehtë.
Në mbledhjen e cila mund të jetë e fundit për këtë mandat, kryeministri Thaçi ka ndarë po ashtu edhe 500 mijë euro për sanimin e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në Kosovë, përderisa ka shtuar se vendimi tjetër do të vijë pas vlerësimit të dëmeve.