17 Nëntor 2024

Qeveria miraton uljen e TVSh-së për produktet elementare

Prishtinë, 24 mars - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje nga pakoja e re fiskale e programit qeverisës, projektligje nga fusha e shëndetësisë dhe vendime të tjera.

Kryeministri Isa Mustafa, na hapje të mbledhjes ka theksuar rëndësinë e miratimit të tri projektligjeve të pakos së re fiskale që është pjesë e programit të Qeverisë së Kosovës për reformën e sistemit ekonomik.

“Mund të them se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, po punon në reformimin e sistemit tatimor, i cili është i orientuar në krijimin e mjedisit të favorshëm për të bërë biznes dhe për të mundësuar një shpërndarje të barabartë të barrës tatimore tek të gjithë tatimpaguesit. Kjo ka të bëjë me krijimin e një konkurrence të ndershme në tregun e brendshëm dhe ngritjen e aftësive konkurruese të bizneseve në tregjet ndërkombëtare.\"

\"Për t’u reflektuar të gjitha këto ndryshme, janë bërë ndryshime, plotësime të ligjeve përkatëse, siç është, Ligji mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Ligji mbi të Ardhurat Personale.\"

\"Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së dhe përshkallëzimin e normës së TVSH-së, duke e vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike, me qëllim që të bëhet një shpërndarje e barabartë e të ardhurave të konsumatorit dhe, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullsisë shpenzon rreth 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së në produkte bazike, vlerësojmë se do ta rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe në veçanti të atyre me të ardhura më të ulëta.\"

\"Poashtu, me rëndësi të madhe është edhe shqyrtimi i listës së lirimeve doganore për aktivitetet prodhuese, përkatësisht për pajisje, të cilat shërbejnë për prodhimtari të drejtpërdrejt, përmes të cilave ne synojmë që të ulim koston e investimeve, përkatësisht koston e shpenzimeve të të gjithë atyre që investojnë në vendin tonë. Prandaj, e konsiderojmë të rëndësishme këtë mbledhje të Qeverisë, sepse përmes saj, ne po fillojmë të realizojmë disa prej synimeve, që i kemi vënë në programin tonë qeverisës dhe po tregojmë se të gjitha ato synime, janë synime të cilat mund të realizohen dhe të cilat do të japin efektet e tyre në kohën e duhur”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Financave ka prezantuar tri projektligjet e pakos së re fiskale të cilat kanë marr miratimin e Qeverisë së Kosovës. Projektligji i parë i kësaj pakete që ka marr miratimin e kabinetit qeveritar është Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i cili e ulë pragun e përfshirjes në pagesën e TVSH-së, bën përshkallëzimin e TVSH-së, heq TVSH-në për disa prodhime dhe përshpejton afatet e rimbursimit.

Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave që rregullon këtë fushë dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale janë dy projektligjet tjera të kësaj pakoje që kanë marr miratimin e kabinetit qeveritar.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe tri projektligje nga fusha e shëndetësisë. Projektligji për Shërbimin Mjekësorë Emergjent, Projektligji për Shëndetin Mendor dhe Projektligji për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht gjiri janë miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe do të procedohen për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe Koncept Dokumenti për rregullimin e fushës për Ndërmarrjet Sociale i cili rekomandon hartimin dhe miratimin e Ligjit për Ndërmarrjet Sociale.

Edhe Koncept Dokumenti për Prokurimin Publik është miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Raportin Vjetor Financiar për vitin 2014 dhe Raportin vjetor për vlerësimin e përshtatshmërisë së financimit të komunave për vitin 2014. Shqyrtimi dhe miratimi i këtyre raporteve bëhet sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë prezantimit të raportit ka kërkuar një disiplinë edhe më të madhe në projektimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për riprogramimin e gjashtë marrëveshjeve për kredi të nënshkruara në mes të Ministrisë së Financave dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.

Janë miratuar edhe dy vendime preliminare për shpronësimet për interes publik të pronave dhe zotëruesve të interesit për nevojat e ndërtimit të vendkalimit të përbashkët kufitar me Republikën e Maqedonisë në Stanqiq të Komunës së Gjilanit dhe shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin e normave të akcizës për duhanin, alkoolin dhe vajin për ngrohje si dhe ka hequr kufizimin e vjetërsisë në importin e veturave.

Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria, është vendosur që dividenda e sivjetme e Postës dhe Telekomit të Kosovës të paguhet në tri pjesë, pas çdo katër mujori. 

Kryeministri Isa Mustafa gjithashtu ka vlerësuar mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të zhvilluar të hënën në Tiranë.

Duke folur për përgatitjet e mbledhjes së përbashkët, për marrëveshjet, memorandumet dhe aktet tjera të cilat u nënshkruan, kryeministri Mustafa, i ka vlerësuar tepër të rëndësishme ato. “Vlerësoj poashtu një qasje shumë pozitive të anëtarëve të Qeverisë, por edhe gjithë stafit tonë përcjellës në përgatitjen e kësaj mbledhjeje të përbashkët.\"

\"Vlerësoj mikpritjen që hasëm në Shqipëri dhe organizimin e Qeverisë shqiptare. Askush nga ne dhe as nga opinioni, nuk ka arsye që të dyshojë në rezultatet dhe sukseset që ne do t’i arrijmë në të ardhmen në implementimin e këtyre marrëveshjeve.\"

\"Takimin e djeshëm e konsideroj si takim të thellë punues, si një takim të një përkushtimi tonë, që bashkërisht t’i kapërcejmë problemet me të cilat po ballafaqohet edhe Shqipëria edhe Kosova, në zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor, në çështjet e sigurisë dhe këto janë çështjet që neve na lehtësojnë punën në të ardhmen dhe poashtu aktivitetin e bizneseve dhe qarkullimin e qytetarëve tanë”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu bëri të ditur se planifikohet që gjatë prillit të mbahet një takim i tillë me Qeverinë e Maqedonisë.

“I kemi shpërndarë çështjet e interesit për të cilat e kemi edhe iniciativën për disa çështje nga Qeveria maqedonase. Do të bëjmë përpjekje që edhe ne t’i konkretizojmë propozimet dhe orientimet tona në një periudhë shumë të shkurtër dhe do ta harmonizojmë që takimi mundësisht të mbahet gjatë muajit prill, në të cilin poashtu do të merremi vesh për çështjet e caktuara, të cilat do ta lehtësojnë bashkëpunimin ekonomik dhe bashkëpunimin në fushat tjera me Maqedoninë”, tha kryeministri.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)