16 Maj 2024

Qeveria miraton Strategjinë dhe Planin Kundër Korrupsionit

Prishtinë, 11 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 56-të të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2012-2016.

Duke folur lidhur me këtë dokument , kryeministri Thaçi ka pohuar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë, është dhe mbetet edhe në të ardhmen një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tona.

“Agjencia Antikorrupsion dhe Zyra e Kryeministrit, Ministritë kompetente, institucionet e pavarura, shoqëria civile, mediat, si dhe një ekspert ndërkombëtar nga Këshilli i Evropës, kanë qenë të përfshirë në këtë plan, dhe kanë marrë pjesë aktive në hartimin e Strategjisë dhe planit të veprimit”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se këto dokumente parashohin në detaje objektivat konkrete dhe të fokusuara, si dhe masat e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit gjatë ciklit të tretë strategjik në Kosovë, që pason atë të vitit 2004-2007 dhe 2009-2011\", u shpreh Thaçi.

Ky cikël i ri sipas tij mbulon periudhën prej pesë vitesh dhe paraqet objektivat dhe masat, që duhet të realizohen brenda afatit të shkurtër, të mesëm apo edhe më gjatë, pasi që shumë nga këto mund të sjellin rezultate të prekshme vetëm pas kësaj periudhe.

“Më lejoni që t’ju përkujtoj që me miratimin e këtij dokumenti strategjik, Qeveria e Republikës së Kosovës e përmbushë edhe një ndër sfidat kryesore të parapara edhe nga Komisioni Evropian”, pohoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi me këtë rast ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar për këtë strategji dhe plan të veprimit, gjithë dikasteret qeveritare, gjithashtu të gjitha institucionet e pavarura, përfaqësuesit e shoqërisë civile, por edhe mediat, gjithashtu edhe përfaqësuesin e komunitetit ndërkombëtar.

Qeveri sot ka miratuar propozimin për emërimin e anëtarëve të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat.

Po ashtu, sot Qeveria ka ndarë 400 mijë euro për të përballuar dëmet nga moti i keq gjatë javës së kaluar që ka përfshirë disa pjesë të Kosovës. Gjatë ditëve të ardhshme do të formohet  një komision i përbashkët për vlerësimin përfundimtar të dëmeve.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Punëve të Brendshme kanë njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me paralajmërimet për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Kryeministri Thaçi duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës kanë besimin e plotë se të  qytetarët e Kosovës pa dallime politike i kanë kontribuar gjithmonë stabilitetit, paqes, ndërtimit të vendit , respektimit të institucioneve të zgjedhura.

“Qeveria e Kosovës vlerëson se patriotizëm sot është respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës. Dhe për ne të gjithë motiv për ndërtimin e Kosovës duhet të jenë thjesht vlerat, modelet dhe vizioni evropian dhe jo modeli serb. Perspektiva e shtetit të Kosovës është në integrim dhe jo në barrikadë.\"

\"Veprimi i paralajmëruar për veprime të dhunshme kundër institucioneve të ligjshme të Kosovës ka qenë i papranueshëm. Në këtë kohë askush nuk mund ta merr pushtetin me dhunë dhe ne kemi besim të plotë në qytetarët e vendit”, theksoi Thaçi, duke shtuar se më së paku Kosovës i duhen pamje jo të hijshme në këtë proces të fillimit konkret të agjendës evropiane për Republikën e Kosovës.

Më tutje kryeministri Thaçi tha se vijnë zgjedhjet, secili e matë veten para qytetarëve.

 “Ne do të jemi në krye të përgjegjësive tona.Të gjitha partitë janë të përfaqësuara në Parlament. Është kohë e debatit, e mendimeve ndryshe, e zgjedhjes së njerëzve me votë të lirë. Prandaj, unë vetëm i falënderoj të gjithë qytetarët për mirëkuptimin dhe besimin e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për përkushtimin për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët. E theksoj edhe njëherë: ne pak vite që kemi shtet, kushtetutë, ligje tona duhet këto ti respektojmë dhe nuk duam të shohim pamje çfarë ka pas në vende të rajonit që pretendon dikush ti sheh këtu. Qëllimet politike të  tyre përmes dhunës nuk do të realizohen në Kosovë”, pohoi Thaçi.

“Rreziku më i madh për Kosovën sot është nëse dikush tenton ndonjë paralelizëm me veriun. Askush në Kosovë nuk dëshiron me pa ndonjë personalitet me veprua  me mentalitetin  si Zvonko Veselinoviqi. Edhe vetë Serbia u distancua prej tij. Në anën tjetër, mund të ketë edhe patriotë të rrejshëm që u ka mbet merak, për me dhënë kontributin e tyre për me dhënë kontribut kur është dashur të japin dhe nuk kthehen më ajo gjendje. Nuk ka Serbi në Kosovë më. Apo të them të drejtën kanë refuzua uniformën e UÇK-së me e vesh, e tash duan të shkojnë te Dheu i Bardhë apo në Merdar. Kjo është e patolerueshme, e pamoralshme e pa pranueshme për popullin e Kosovës- ka theksuar kryeministri Thaçi.

Prandaj, ne do të vazhdojmë me punën tonë të sinqertë, punën tonë të përgjegjshme, me reformat, me agjendën tonë evropiane. Kam besim të plotë se spektri tjetër politik se do të jetë i qartë në qëndrimin e vet – i përkrah këto paralajmërime të dhunshme apo nuk i përkrah. Ne të gjithë kemi qenë në një kohë në opozitë por dhunë s’kemi përdor kurrë. Përkundrazi. Vijnë zgjedhjet, maten vlerat, vizionet e secilit, por në asnjë rrethanë të provokohen situata që nuk përkojnë me këtë shekull dhe as me traditën e popullit të Kosovës e lëre më me traditën kuq e zi as me traditën e formulimit të vetëvendosje por të formulimit vetëfundosje dhe as kuq e zi siç përsëriti kryeministri Berisha faqezi”, theksoi kryeministri Thaçi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)