Qeveria miraton rishikimin e buxhetit për 2013
Prishtinë, 17 qershor - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, është mbajtur mbledhja e 134-të me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në fillim të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar për ecurinë e implementimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr 04/L-165 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, ndryshime të bëra nga Ministria e Financave në bashkëpunim me të gjitha Agjencitë Buxhetore.
Është miratuar edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Ky projektligj ka për qëllim që ta bëjë një ndryshim në këtë Projektligj, që ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve me përbërjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Gjatë mbledhjes disa ministra kanë paraqitur kërkesa për mjete shtesë, të cilët thanë se do të përfshiheshin në dokumentin për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi përsëriti se ky është rivlerësim i një buxheti zhvillimor dhe i ngritjes së mirëqenies së qytetarëve. Sipas misnitrit të financave Besim Beqaj rishikimi i buxhetit të këtij viti është bërë në përputhje me kërkesat e e organizatave buxhetore dhe në harmoni me FMN-në, njofton RTK.
Ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku, kërkoi që në rishikim të ndahen mjete shtesë për rritje të kapaciteteve të ministrisë, pasi Kosova ka hyrë në një fazë të re të relacioneve me BE-në.
Në kuadër të obligimeve të Qeverisë për përmbushjen e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimi i ligjit Nr. 03/L-40 për Vetëqeverisje Lokale, që ndërlidhet me pikën 2 të marrëveshjes duke normuar shpërbërjen e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e shërbimeve publike të punësimit, që rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, detyrat, përgjegjësitë dhe financimin e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.
Objektivat të cilat synohen të arrihen me procesin e hartimit të Projektligjit për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës janë krijimi i një baze të mirëfilltë ligjore për organizimin dhe funksionimin e Shërbimeve Publike të Punësimit në Kosovë, me qëllim të harmonizimit të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, zbatimi i politikave, strategjive nacionale, strategjive sektoriale, masave dhe programeve aktive të tregut të punës dhe aftësimit profesional dhe ofrimi i shërbimeve sa më cilësore lidhur me: ndërmjetësimin në punësim, aftësimin profesional, orientimin në karrierë, këshillimet për punësim, etj.
Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje është miratuar edhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/l-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, me të cilin Dita e Evropës më nuk do të jetë ditë pushimi siç është përcaktuar me Ligjin aktual. Po ashtu me këtë Projektligj parashihet që Qeveria e Republikës së Kosovës në rastet e veçanta, me vendim cakton ditët e pushimit për Administratën Shtetërore.
Qeveria në mbledhjen e sotme me qëllim të zbatimit të Ligjit Nr.03L181 për Inspektoriatin e Tregut, ka marrë vendim për bartjen e detyrave dhe përgjegjësive të inspektorëve të tregut nga administrata komunale në inspektoratin e tregut të MTI-së.
Është miratuar propozim vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me të cilin vazhdohet afati i akomodimit, pakos ushqimore dhe higjienike për të gjithë personat e riatdhesuar, të cilëve iu skadon akomodimi 12 mujor (6+6) sipas Rregullores 10/2012 për menaxhimin e programit, organet kompetente, procedurat dhe kriteret e përfitimit për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, deri me datë 31.12.2013.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Koncept Dokumenti për hartimin e projektligjit për avancimin e Departamentit të Standardeve dhe të Politikave të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare në nivel të agjencionit.
Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim për mos alokimin e 11 milionë eurove, si rezultat i komunikimit me FMN-në, ndahet në kategorinë ekonomike, mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfere dhe në kategroinë e shpenzimeve kapitale.
Këto janë bërë në mënyrë uniforme për të gjitha institucionet buxhetore të nivelit qendror, pra nuk kemi shkurtim, por vetëm mos alokim të mjeteve.