16 Janar 2025

Qeveria miraton ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e BERZH

Prishtinë, 23 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 104-të me radhë, të drejtuar nga Kryeministri Thaçi ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pas miratimit, ky Projektligj do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e madhe për Republikën e Kosovës  anëtarësimi në këtë bankë.

“Përveç që është një reflektim i besimit të shteteve anëtare të BERZH-it në demokracinë kosovare, anëtarësimi në këtë bankë do të ofroj mbështetje të madhe në rrugën drejt forcimit të ekonomisë së lirë të tregut. Nga ky anëtarësim përfitime të drejtpërdrejta do të ketë sektori privat, që përveç kredive, bizneset kosovare do të përfitojnë edhe nga investimet direkte, si dhe nga transferi i teknologjisë dhe shërbimeve këshilluese” ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se puna e BERZH në Republikën e Kosovës do të bazohet në një strategji të veçantë, e cila do të përgatitet në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa tashmë Qeveria ka identifikuar fushat strategjike prioritare që do të përfitojnë: sektori i energjisë, minierave dhe mineraleve, sektori i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe sektori infrastrukturës.

Gjatë prezantimit para kabinetit qeveritar të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se qëllimi i këtij Projektligji është të ratifikohet Marrëveshja për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e nënshkruar më datë 29 maj 1990, duke përfshirë amendamentin e nenit 1 të kësaj Marrëveshje me qëllim të zgjerimit në vendet Mesdheut  Jugor dhe Lindor.

“Pas Ratifikimit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, obligohet  Qeveria e Republikës së Kosovës që t’i kryejë të gjitha obligimet të cilat dalin nga marrëveshja e ratifikuar dhe përmbushja gjitha  kushte dhe obligimet, duke përfshirë edhe ato financiare  cilat dalin  nga Rezoluta nr.154 e Bordit Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” ka thënë ministri Hamza.   

Në pajtim me këtë Projektligj Qeveria e Republikës së Kosovës do të emërojë përfaqësuesin e Republikës së Kosovës në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së ratifikuar.

Në mbledhjen e kaluar, Qeveria ka ndarë një milion e 50 mijë euro, mjete të cilat përdoren për pagesën e kapitalit aksionar të Kosovës në BERZH.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka njoftuar kabinetin e Qeverisë për përgatitjet përfundimtare në përurimin e 60.4 kilometrave të Rrugës së Kombit, që do të bëhet më 27 nëntor.

“Pas një pune të madhe gjatë gjithë vitit, dita e 27 nëntorit do të jetë ditë e suksesit në ndërtimin e vendit. Është një ditë që shënon hapjen e perspektivës të zhvillimit ekonomik për Kosovën” ka potencuar ministri Mujota. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)