Qeveria miraton raportin nëntëmujor financiar të Buxhetit për vitin 2018
Prishtinë, 23 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Raportin nëntëmujor financiar të Buxhetit për vitin 2018, i cili do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Raporti përmban përmbledhjen e trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës nëntëmujore të viti 2018.
Në këtë periudhë, të hyrat buxhetore kanë arritur vlerën 1,315 milionë euro, duke shënuar rritjen prej 6 për qind, ose për 69 milionë më shumë, krahasuar me nëntëmujorin e vitit paraprak.
Kjo shumë e të hyrave paraqet 71 për qind të planit vjetor të parashikuar, ndërsa rritja ka ndodhë kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore.
Trendi dëshmonë rrjedhën e performancës pozitive të biznesit privat dhe është dëshmi për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vendin tonë.
Shpenzimet buxhetore të kësaj periudhe kanë arritur vlerën prej 1,311 milionë dhe ka shënuar rritjen prej 10 për qind, apo 120 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e viti të kaluar.
Ekzekutimi i shpenzimeve buxhetore gjatë këtij nëntëmujori korrespondon me 62 për qind të planifikimeve.
Rritja është shënuar sidomos me ekzekutimin e lartë të mjeteve në investimet kapitale në 6 për qind dhe të shpenzimeve rrjedhëse në 11 për qind.