24 Dhjetor 2024

Qeveria miraton projektligjin për Tregtinë me Naftë dhe projektligjin për Tregti të Jashtme

Prishtinë, 25 qershor - E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar projektligje dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Është miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Nëpërmjet rishikimit të Buxhetit 2021, Qeveria synon mposhtjen e pandemisë, me theks të veçantë në imunizimin e popullatës dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor për t’u përballur me këtë situatë.

Prioritet tjetër i rishikimit të këtij buxheti është edhe adresimi i rimëkëmbjes ekonomike që duhet të pasoj pas pandemisë. Duke marrë parasysh ecurinë e deritanishme, por edhe pritjet për pjesën e mbetur të vitit, Buxheti i rishikuar për vitin 2021 do të jetë 2 miliardë e 516 milionë euro, derisa të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Ndryshimet themelore në Projektligjin e ri rregullojnë çështjet e nevojshme, si ndryshimi i statusit të Agjencisë dhe orientimin e saj si organ i pavarur dhe i specializuar për zbatimin e politikave shtetërore për parandalimin e korrupsionit, qartësimi i  përgjegjësive të Agjencisë Kundër Korrupsion, kompetencat e Agjencisë, Kriteret dhe procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë, ndryshimi nga hetimet paraprake në hetime administrative dhe rregullimi i tyre dhe qartësimi më i saktë, përcaktimi i masave dhe sanksioneve, rregullimi i çështjeve të hartimeve dhe monitorimeve të planeve të integritetit si dhe vlerësimi kundër- korrupsion i akteve ligjore.

Gjatë hartimit të Projektligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, grupi punues ka pasur parasysh rekomandimet nga mekanizmat dhe raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rekomandimet e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Edhe Projektligji për bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Civile, ka marrë aprovimin e kabinetit qeverisës.

Ky Projektligj trajton kompetencat, rendin dhe procedurat për këtë bashkëpunim në mes të Republikës së Kosovës dhe vendeve të huaja, gjegjësisht sa i përket shërbimit të dokumenteve gjyqësore ose jashtëgjyqësore, marrjes së dëshmive dhe formave tjera të mbështetjes procedurale, në rastet kur ky bashkëpunim nuk rregullohet me marrëveshjeje dypalëshe ose shumëpalëshe.

Avancimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile, do të ndikoj drejtpërdrejtë në mënyrë pozitive edhe në anëtarësimin e Kosovës në të ardhmen në Konventat relevante ndërkombëtare që i rregullojnë këto çështje.

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike, me qëllim rregullimin e mënyrës së identifikimit dhe skemave të identifikimit elektronik; kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre; shërbimeve të transmetimit që ju rekomandohen transaksioneve ligjore, procedurave gjyqësore dhe procedurave të tjera; kushteve të lëshimit dhe përdorimit të certifikatave  të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqes së internetit; shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike. Ky Projektligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike.

Është miratuar edhe Projektligji për Amandamentimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim, Programi për mbështetje Shëndetësore. Përmes këtij projekti synohet të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore të cilat ju ofrohen popullatës së Kosovës përmes rritjes së kapaciteteve planifikuese, udhëheqëse dhe menaxheriale.

Kabineti qeveritar i ka dhënë mbështetje edhe Projektligjit për Tregtinë me Naftë dhe Produkte të Naftës në Kosovë. Ky ligj përvetëson standardet evropiane për karburantet, thjeshton procedurat administrative, ua lehtëson punën operatorëve të ndershëm, mbron konsumatorin, mjedisin, konkurrencën e lirë, si dhe siguron mbikëqyrjen e efektshme dhe të ligjshme të veprimtarive me karburante.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Tregti të Jashtme, i cili ka për qëllim të përcaktojë parimet e përgjithshme që rregullojnë tregtinë me jashtë të Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me praktikat më të mira ndërkombëtare, marrëveshjet e OBT-së dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke përmirësuar kështu ekonominë dhe mirëqenien e popullit të Republikës së Kosovës. Po ashtu ky projektligj përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme të importit, eksportit dhe kalimit transit të mallrave në Republikën e Kosovës dhe tregtinë me jashtë në shërbime.

Miratimin e ka marrë edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj shtatë (7) shtetasve libanezë, të lidhur me Hezbollah dhe kompaninë e saj financiare Al-Qard al-Hassan (AQAH), bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 23.06.2020 për shpalljen e krahut politik dhe ushtarak të Hezbollah-ut si Organizatë terroriste si dhe mbështetësve të tyre.

Sanksionet e lartshënuara konsistojnë në: Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës për individët dhe entitetin e sanksionuar; Ndalim të udhëtimit për individët e sanksionuar dhe Ndalim për persona dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj gjashtë (6) personave, të cilët janë përfshirë në aktivitet të Organizatave terroriste ISIL/Da’esh dhe Al Qaeda, ka marrë aprovimin e Qeverisë.

Sanksionet e lartshënuara konsistojnë në: Ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës për individët e sanksionuar; Ndalim të udhëtimit për individët e sanksionuar dhe Ndalim për persona dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Është aprovuar në mbledhjen e sotme vendimi për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, me këtë përbërje: Znj. Nora Tafashiku Kurtishi, kryesuese; Albana Berisha Qehaja, anëtare; Arian Shuku, anëtar dhe Evetar Zeqiri, anëtar.

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve i emëruar në Ndërmarrjen Qendrore KRU “Prishtina” Sh.a., shërben në cilësinë e Bordit të Drejtorëve sipas nenit 43 të ligjit bazik të riformuluar me nenin 22 të Ligjit Nr. 04/1-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-087 për ndërmarrje publike apo deri në përzgjedhjen e Bordit të përhershëm.

Është aprovuar edhe vendimi për Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “ Ibër Lepenci”, me këtë përbërje: Znj. Hajrije Morina, Kryesuese; Denis Dautaj, anëtar: Znj. Hyrmet Mydyti, anëtare dh  Rexhep Podvorica, anëtar

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve i emëruar në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.a., shërben në cilësinë e Bordit të Drejtorëve sipas nenit 43 të ligjit bazik të riformuluar me nenin 22 të Ligjit Nr. 04/1-111 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 03/L-087 për ndërmarrje publike apo deri në përzgjedhjen e Bordit të Përhershëm.

Më tej, në mbledhjen e sotme qeveria e ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.

Mandati i Komisionit është tre (3) vjet dhe është i pavarur në punën e tij. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/09 i datës 01.07.2020 dhe Vendimi Nr. 07/69 i datës 15.03.2021.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej  treqind e tridhjetëmijë e gjashtëqind euro (330,600.00 €) për Ministrinë e Shëndetësisë për pagesën e specializantëve për muajin qershor 2021.

Është aprovuar edhe vendimi për ri-destinimin dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej 548,427.91 euro, nga ndarja buxhetore e pa-alokuar në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me kod buxhetor 213, programi 49400 “Ndërmarrësia”, kategoria ekonomike “Subvencione dhe Transfere”. Mjetet buxhetore alokohen për pagesën e obligimeve financiare që derivojnë nga shqyrtimi i ankesave prej Komisionit të Ankesave i themeluar me vendim të Ministrisë së Financave, lidhur me  subvencionimin të linjës së pagave në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në kuadër të Vendimeve Qeveritare nr. 10/33 i datës 28.09.2020.

Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Subjektet e Sektorit Publik për vitin 2020.

Po ashtu, është aprovuar Koncept-dokumenti për Sanksionet e Shënjestruara Kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut, i cili përshkruan mënyrën se si rregullohet çështja e sanksionimit të të huajve në Kosovë sipas ligjeve aktuale dhe institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tyre. Arsyeja kryesore për inicimin e një politike të tillë është prezenca e madhe e personave të huaj në Republikën e Kosovës që nga viti 1999 dhe një prezencë e tillë duhet të adresohet nga një kornizë ligjore adekuate e cila për momentin mungon.

Qeveria ka aprovuar edhe Nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes financiare IPA 2014 ndërmjet Kosovës, Malit të Zi dhe BE-së për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes financiare IPA 2015 ndërmjet Kosovës, Malit të Zi dhe BE-së për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, më qëllim që të mundësohet shtyrja e afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të këtyre marrëveshjeje edhe për nga 1 vit shtesë, për shkak se kontratat që janë në zbatim e sipër kanë hasur në vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19.

Është aprovuar edhe  Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes financiare IPA 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes financiare IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së, më qëllim që të mundësohet shtyrja e afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje edhe për 1 vit shtesë, për shkak se kontratat që janë në zbatim e sipër kanë hasur në vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19.​




Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)