Qeveria miraton Projektligjin për rishikimin e Buxhetit 2020
Prishtinë, 17 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe masat e reja për luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.
Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia e virusit COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës. Me rishikim të buxhetit nuk janë prekur asnjë projekt kapital, derisa kursimet do të kthehen në procese normale në buxhetet e viteve të ardhshme.
Sipas analizës së zhvillimeve ekonomike, parashihet që rritja ekonomike për vitin 2020 të jetë minus tre për qind (3%) dhe pritet që në vitet 2021 dhe 2023 të kthehet në rritjen progresive prej 5 për qind.
Situata e krijuar nga pandemia ka imponuar zhvillimin në proceset buxhetore dhe për vitin 2020 ku pritet një deficit buxhetor prej 6.5 për qind.
Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.
Sipas vendimit të gjitha institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të organizojnë punën e stafit të tyre duke respektuar distancën fizike apo duke aplikuar punën online nga shtëpia, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi.
Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës janë obliguar që të zbatojnë kontrollin rigoroz të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni dhe të organizojnë punën me stafin e tyre në përputhje të plotë me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ka theksuar se do të jenë mbi 600 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për rimëkëmbje ekonomike.
“Me këtë rishikim të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë euro si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh. Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë kësaj kohe për shkak të pandemisë”, tha Hoti.
Projektligjin për plotësimin e ligjit të buxhetit për vitin 2020 do të dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim.
Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonomi janë më të zymtat që kanë qenë ndonjëherë.
Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.