07 Nëntor 2024

Qeveria miraton projektligjin për ndërmarrjet sociale

Prishtinë, 27 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të dhjetën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.

Projektligji për ndërmarrjet sociale, miratuar sot nga kabineti qeveritar, përmban rregulla që i përkufizojnë parimet e ndërmarrjeve sociale, aktivitetet e tyre dhe kushtet e punës, marrjen dhe humbjen e statusit të ndërmarrjeve sociale, organizimin dhe funksionimin e tyre, dhe rregullat e kontrollit dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve sociale.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar gjithashtu edhe Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike.

Ky projektligj rregullon sistemin e kontrollit të brendshëm të financave publike, që përfshinë menaxhimin financiar dhe kontrollin, auditimin e brendshëm dhe harmonizimin e tyre në pajtim me standardet ndërkombëtare. Kjo synohet të arrihet përmes fuqizimit të sektorit të kontrollit në subjektet e sektorit publik në Republikën e Kosovës.

Udhëzimi administrativ për listën e treguesve për identifikimin zyrtarë të viktimave të trafikimit me njerëz, gjithashtu ka marr aprovimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

Ky udhëzim administrativ përcakton listën e treguesve potencial për lehtësimin e identifikimit të viktimave nga autoritetet policore, gjyqësore dhe sociale të cilët mund të jenë në kontakt me viktimat e mundshme të trafikimit me njerëz.

Kabineti qeveritar ka miratuar Raportin nëntëmujor të buxhetit të vitit 2017. Sipas raportit, ka vazhduar trendi i rritjes së të hyrave për rreth 4%, apo 46.54 milionë euro më shumë krahasuar me nëntëmujorin e vitit paraprak. Gjithsejtë të hyrat gjatë kësaj periudhe kapin shifrën 1,413.87 milionë euro. Shpenzimet buxhetore kanë arritur në 1,191,68 milionë euro, apo 7% më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.    

Qeveria e Republikës së Kosovës me një vendim të veçantë ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 18,400 euro për 80 persona me aftësi të kufizuar për mbështetjen e programeve rehabilituese në banjat e Kosovës. Përfitues do të jenë nga 10 persona nga shoqatat në vijim:

1.      Shoqata “HandiKos”;

2.      “Shoqatat e të Verbërve të Kosovës”;

3.      “Shoqatat Kosovare e të Shurdhërve”

4.      “Down Syndrom Kosova”

5.       “HandiKEP”

6.       “Autizmi”

7.       “Opfakos”

8.       Klubi “Dëshira”

Qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik në shumën 150 euro. Edhe kujdestari personal kompensohet me shumën e njëjtë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi preliminar për shpronësimin e pronave për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë në zonën kadastrale Stanovc i Epërm të Komunës së Vushtrrisë.

Edhe vendimi për aprovim në parim të nismës për lidhjen e marrëveshjes për zhvillimin e turizmit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

Aprovimin e Qeverisë e ka marr edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Evropa Kreative”, program i Bashkimit Evropian për sektorët kulturorë dhe kreativ.

Vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave të paluajtshme për interes publik të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale të Komunës së Hanit të Elezit dhe Kaçanikut, është miratuar nga kabineti qeveritar.

Qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e Raportit të Zyrës për Çështje të Kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, sipas listave/regjistrave të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të UÇK-së.

Ministri i Shëndetësisë ka informuar kabinetin qeveritar për angazhimin e kësaj ministrie për të vënë rend në kontraktimin dhe blerjen e barnave për shëndetësinë në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)