08 Nëntor 2024

Qeveria miraton Projektligjin për Ndërmarrjet Sociale

Prishtinë, 14 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 120-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të tjera nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Projektligji i parë që mori mbështetjen e kabinetit qeveritar ishte ai për Ndërmarrjet Sociale, që për objektiv kryesor ka të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë përmes krijimit të ndërmarrjeve sociale të cilat adresojnë çështje sociale, duke përfshirë punësimin dhe ofrimin e shërbimeve më të mira në interes të shoqërisë.

Përmes këtij projektligji synohet krijimi i vendeve të reja të punës, me theks të veçantë për grupet e cenuara dhe për ofrimin e shërbimeve sociale për personat me nevojë.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, hartimi dhe finalizimi i të cilit është rezultat i punës së Ministrisë së Drejtësisë në funksion të avancimit të infrastrukturës ligjore në përgjithësi, me theks të veçantë legjislacionit të fushës së luftimit dhe parandalimit të korrupsionit.

Ky projektligj, është një mundësi e mirë përmes të cilit do të ndikohet në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie.

Projektligji parasheh një numër të konsiderueshëm të ndalesave për zyrtarët publik, si ndalimi i kryerjes së punëve të tjera përmes të cilave në çfarë forme mund të ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të funksionit publik.

Përmes këtij projektligji, është bërë përpjekje t’i kushtohet vëmendje e veçantë aspektit preventiv, përkatësisht parandalimit të konfliktit të interesit.

Projektligji është në harmoni të plotë me dispozitat e legjislacionit të BE-së dhe është hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ekspertë të Këshillit të Evropës dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në mbledhje, u miratua edhe Rregullorja për regjistrimin dhe aprovimin e operatorëve të biznesit në ushqim, me të cilën përcaktohen kriteret dhe proceduat për aprovimin e këtyre operatorëve.

Aprovimin e Qeverisë e ka marrë edhe Rregullorja për Lëshimin e Certifikatës Apostile.  Qëllimi i kësaj rregullore është përcaktimi i kushteve, procedurave, mënyra e funksionimit, koordinimi dhe bashkërendimi i autoriteteve ndërmjet autoriteteve kompetente të përcaktuara me Ligj për zbatimin e parimeve dhe kushteve të Konventës së Apostiles dhe në zbatim të instrumenteve të aderimit në Konventën e Hagës për heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumenteve zyrtare të huaja të datës 5 tetor 1961.

Në mbledhjen e sotme, u miratua edhe Rregullorja për materialet dhe artikujt që destinohen të vijnë në kontakt me ushqimin, përmes së cilës synohet të përcaktohet baza ligjore si dhe verifikimi i autorizimit të substancave për prodhimin e materialeve dhe artikujve që vijnë në kontakt me ushqimin dhe nuk rrezikojnë shëndetin publik dhe interesin e konsumatorëve.

Strategjia sektoriale e shëndetësisë për vitet 2017-2021, po ashtu, ka marrë mbështetjen e Qeverisë.

Me këtë strategji janë identifikuar hapat kyç që do të ndërmerren për të kontribuuar në vizionin e sektorit shëndetësor për shërbime cilësore shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Kjo strategji është ndërtuar mbi tri objektiva kryesore: ruajtja dhe përparimi i shëndetit, sigurimi i financimit të qëndrueshëm shëndetësor dhe riorganizimi i sektorit shëndetësor.

Synim i veçantë i kësaj strategjie është edhe vazhdimi i funksionalizimit të shërbimeve spitalore sekondare dhe terciare, forcimi i kujdesit parësor shëndetësor, implementimi i plotë i sistemit të informimit shëndetësor dhe përmirësimi i cilësisë dhe spektrit të shërbimeve shëndetësore në këtë sektorë.

Edhe strategjia për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe plani i veprimit 2016-2020, u miratua në mbledhjen e sotme.

Kjo strategji ka për qëllim zvogëlimin e rreziqeve ekzistuese si dhe parandalimin e rreziqeve të reja, fuqizimin e qëndrueshmërisë duke përfshirë përgjegjësinë primare të shtetit për të parandaluar dhe zvogëluar rrezikun nga fatkeqësitë, angazhimin e tërë shoqërisë dhe institucioneve shtetërore.

Qeveria miratoi edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga Rikonstruktimi i Rrugës Nacionale N2 udhëkryqi Gjilan-QMI, si dhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave private, komunale dhe shoqërore, të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës Ekonomike-Industriale”, përballë “Parkut të Biznesit në Drenas”.

Mbështetjen e kabinetit e mori edhe vendimi për harmonizim, kursime dhe ndarje të mjeteve në pajtim me nenin 14 të Ligjit për Buxhetin. Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit përmbylljes së vitit fiskal 2016, Ministria e Financave ka verifikuar dhe evidentuar nënshpenzime në kategoritë ekonomike në mallra dhe shërbime, subvencione, transfere dhe shpenzime kapitale.

Vendimi përmban rregullime të brendshme, kursime dhe ndarje të reja, për nivelin qendror dhe në nivelin komunal në total prej 30 milionë e 254 mijë e 217 euro. Pjesë e këtij vendimi është edhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore në komunat e prekura në vitin 2016. 

Po ashtu, kabineti qeveritar u informua për Raportin mbi Performancën e të Hyrave dhe Shpenzimeve Buxhetore për periudhën janar-nëntor 2016.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)