Qeveria miraton Programin e Borxhit Shtetëror 2015 - 2017
Prishtinë, 21 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 9-të, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa në të cilën ka ka miratuar Vendimin për miratimin e Programit të Borxhit Shtetëror për vitet 2015 deri më 2017.
Programi përmban informacione për objektivat afatmesme të menaxhimit të borxhit, historikun e menaxhimit të borxhit, gjendjen aktuale si dhe shqyrtimin e tri strategjive alternative të huamarrjes për këtë periudhë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i rrjetit shpërndarës unazorë të transmetuesve dhe infrastrukturës përcjellëse për nevoja të institucioneve shtetërorë dhe të sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Qeveria po ashtu ka aprovuar Planin e Veprimit për zbatimin e Raportit të Progresit dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të saj.
Vendimi i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ishte miratimi i Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i Progresit 2015.
Ky plan fokusohet në adresimin e sfidave dhe rekomandimeve të identifikuara në Raportin e Progresit 2014 të Komisionit Evropian për Kosovën dhe është vazhdimësi e proceseve të deritanishme të planifikimit në kuadër të agjendës evropiane të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Plani i Veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i Progresit 2015 është i dizajnuar si dokument njëvjeçar, për arsye të periudhës kalimtare në të cilën gjendet procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe në pritje të hyrjes në fuqi dhe fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.