Qeveria miraton privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës

Prishtinë, 16 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 125-të, në të cilën ka aprovuar Raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe ka obliguar komisionin që të zhvillojë procesin e mëtejshëm sipas procedurave dhe afateve kohore për privatizimin e 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Kabineti qeveritar është informuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, për zhvillimin e procesit të privatizimit të 75% (shtatëdhjetepesë për qind) të aksioneve të Ndërmarrjes Publike - Posta dhe Telekomi i Kosovës, Sh.A.
Procesi i Privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është udhëhequr nga Komisioni Qeveritar në përbërje të: Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik - kryesues; Mimoza Kusari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë - anëtare; Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës - anëtar; Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale - anëtar dhe Bedri Hamza, ministër i Financave - anëtar.
Komisioni Qeveritar, në procesin e mbikëqyrjes së privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, ka pas mbështetjen e dy këshilltarëve të transaksionit dhe të Këshilltarit Strategjik, të cilët kanë mbikëqyr tërë procesin dhe kanë vlerësuar përputhshmërinë e tij me legjislacionin e Kosovës.
Ministri Beqaj ka njohur kabinetin qeveritar se kemi të bëjmë me shitjen e 75% të aseteve të operimit të PTK-së, ndërsa trashëgimtare e të gjitha aseteve fizike të PTK-së do të jetë ndërmarrja e re publike, Posta e Kosovës, e cila është themeluar nga Qeveria e Kosovës.
Me shitjen e 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, krijohet një partneritet strategjik publik- privat për zhvillimin e këtij sektori, me operator seriozë dhe të fuqishëm ekonomik.
Ndërmarrja e re, e cila do të krijohet pas privatizimit, do të jetë kontribuuese e fuqishme e Buxhetit të Kosovës, përmes pagesës së tatimit dhe ndarjes 25% të dividendës për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ndërmarrja e re ka ofruar edhe garancinë për të gjithë të punësuarit në 3(tre) vitet e ardhshme si dhe detyrimet ndaj Ndërmarrjes Publike - Posta e Kosovës, për shfrytëzimin e aseteve fizike të saj.
Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, ka informuar kabinetin qeveritar për përkrahjen që Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik i ka dhënë procesit dhe ka theksuar se mbështetje për procesin kanë deklaruar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca e Biznesit dhe Oda Ekonomike Kosovare Amerikane.