Qeveria miraton marrëveshjen financiare për IPA mes Kosovës dhe BE
Prishtinë, 29 shtator - E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj, të pestën me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime tjera të fushave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka marr miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme. Afati i miratimit të marrëveshjes është fundi i këtij viti, andaj propozohet që miratimi i këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky projektligj vendos tatimin mbi pronën e paluajtshme dhe përcakton rregullat dhe procedurat themelore për administrimin e tatimit në pronë nga komunat dhe Ministria e Financave.
Ai siguron një proces të drejtë në përcaktimin e këtij tatimi si dhe garanton transparencë në grumbullimin e këtij tatimi.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe plotësim ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, sipas të cilave, presidentit të Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit, i sigurohet mbështetje në hapësira të punës dhe staf mbështetës.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe plotësim ndryshimet e vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 15 maj 2017, për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit siguron shfrytëzimin e buxhetit për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe për zgjedhjet lokale.
Me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria, janë suspenduar dhjetë anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike. Vendimi është bazuar në rekomandimet e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ekzaminimit të dokumentacionit për disa kandidatë të zgjedhur në borde të ndërmarrjeve publike, ku është konstatuar se emërimi i tyre është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dy nismat për plotësim-ndryshim të Marrëveshjes Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA) për vitin 2012 dhe të Marrëveshjes Financiare për Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA) për vitin 2013 në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Të dy marrëveshjet kanë nevojë të ndryshohen, me qëllim të zgjatjes së afatit për realizimin e projekteve të parapara për realizim nga këto marrëveshje.
Kryeministri ka informuar kabinetin për thirrjen e seancave të Kuvendit, ku do të debatohet për programin e Qeverisë dhe interpelanca e kryeministrit për rastin e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kryeministri ka njoftuar edhe për emërimin e zëvendësministrave nga radhët e komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kryeministri ka vlerësuar që kjo është bërë me qëllim që komunitetet të ndjehen të integruara në kabinetin qeverisës dhe ka kërkuar nga ministrat që të bashkëpunojnë me zëvendësministrat e emëruar në dikasteret e tyre.