08 Nëntor 2024

Qeveria miraton kursimin e mjeteve për Buxhetin e Kosovës për 2016

Prishtinë, 28 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 123-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën miratoi vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi i parë që mori miratimin e Qeverisë ishte vendimi për kursime dhe ndarje të mjeteve, në pajtim me nenin 14-të të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit dhe përmbylljen me sukses të vitit fiskal 2016, Ministria e Financave ka evidentuar nën shpenzime në disa kategori, në veçanti te projektet kapitale dhe disa kursime në mallra, shërbime, shpenzime komunale dhe në subvencione nëpër organizata buxhetore qendrore dhe nëpër ato lokale.

Ministri i Financave ka propozuar që të bëhet një rishpërndarje e këtyre mjeteve të kursyera dhe të nën shpenzuara nëpër këto projekte në përputhje me paragrafin 2 të Nenit 14 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

“Kursimet totale në nën shpenzimet janë në shumë prej 24.4 milionë euro në bazë të tabelës 1 që i është bashkëngjitur këtij propozimi prej të cilave 8.8 milionë euro janë në mallra dhe shërbime, 1.1 milion janë shpenzime komunale, 5 milionë janë subvencione dhe transfere, dhe 8.2 milionë janë shpenzime kapitale."

"Gjithashtu kemi propozuar edhe ndarjen e rezervës prej 1.1 milion euro. Financimet, pra shpërndarjen e këtyre e kemi propozuar në bazë të tabelës  2 në këtë vendim, për mallra dhe shpenzime 2.6 milionë euro, për shpenzime komunale 222 mijë euro, nën subvencione dhe trasnfere 2.4 milionë euro dhe nën shpenzime kapitale 19.1 milionë euro. Pra përmirësohet struktura e buxhetit sa i përket shpenzimeve kapitale me këtë vendim."

"Të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore kanë qenë të arsyetuara me shpjegimet përkatëse të atyre organizatave dhe shkojnë për të kryer obligimet e operatorëve ekonomik. Një pjesë e konsiderueshme në infrastrukturë rrugore, në furnizimin me libra dhe për ndërtimin e disa objekteve arsimore, për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, për furnizim me uniforma, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për pagesën e të dënuarve pa bazë, për derivate për ngrohje për disa gjykata nëpër disa regjione të Kosovës, pagesën e licencave në Ministrinë e Administratës Publike dhe disa ndarje për të mbështetur disa prej ndërmarrjeve publike që janë në pozitë të vështirë financiare për shkak të vendimeve të ndryshme, por edhe për shkak të natyrës së funksionimit të atyre ndërmarrjeve publike”, tha ministri i Financave.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se janë bërë përpjekje për harmonizim që disa prej detyrimeve t’i përmbushim tani, sidomos këtë për librat.

“Është një shumë, që detyrimisht është dashur ta ndajmë për autostradë, sepse jemi vonuar dhe pastaj kemi hyrë në borxh edhe për vitin e ardhshëm, për arsye se kemi bërë disa shkurtime. Çështja e kompanive publike është çështje mjaftë e ndjeshme, që kërkon një analizë të veçantë. Unë jam për atë që në fillim të vitit të ardhshëm të ulemi dhe të shohim te këto kompanitë publike, të cilat ose kanë problem të performancës ose kanë kushte objektive të cilat janë të papërshtatshme për to dhe duhet të ekzistojnë dhe çka duhet të bëjë Qeveria për to, veçmas këto të hekurudhës që janë më të ndjeshme. Kemi poashtu edhe problemet e disa kompanive publike lidhur me vendimet që po i marrin bordet e kompanive publike, menaxhmenti i kompanive publike."

"Ne po i ndajmë mjetet për t’i mbuluar shpenzimet, ndërsa ata po ndajnë pastaj edhe bonuse dhe shpërblime të veçanta për menaxhmentin dhe bordet, përkundrejt rezultateve të tyre tepër të ulëta, që është krejtësisht në kundërshtim me atë që po bëjmë ne. Me ministrin e Zhvillimit Ekonomik i kemi pasur disa takime me bordet dhe menaxhmentit."

"Do të bëjmë përpjekje që në fillim të vitit të ulemi, të shohim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Financave se si ta kapërcejmë këtë. Kemi biseduar edhe me zëvendëskryeministrin Kuçi për këtë nevojë, që të bashkërendisim, por unë ju kisha propozuar që sot ta aprovojmë dhe për këtë arsye kam thirrur mbledhjen sot, që të japim hapësirë për t’u likuiduar pagesat, të cilat duhet të bëhen dhe për t’u liruar disa organizata që i kemi në situatë mjaft të rëndë, pastaj në fillim të vitit të kemi parasysh këtë që u tha në Qeveri sa i përket zgjidhjes së problemeve dhe përkatësisht vendimeve që do të marrim lidhur me disa ndërmarrje publike”, tha kryeministri Mustafa. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)