Qeveria miraton koncept dokumentin për financimin e subjekteve politike
Prishtinë 1 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, të gjashtëmbëdhjetën me radhë. E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar vendime dhe dokumente nga fushat e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi për miratimin e Projektligjit për aktet normative ka qenë vendimi i parë që ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar.
Ky Projektligj rregullon parimet për hartimin, nxjerrjen, miratimin, konsolidimin, korrigjimin dhe publikimin e akteve juridike si dhe përcakton hierarkinë e tyre.
Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për fushën e financimit të subjekteve politike. Qëllimi i këtij koncept dokumenti është rritja e transparencës dhe llogaridhënies me qëllim të përmirësimit të qeverisjes së mirë dhe funksionimit demokratik të institucioneve si dhe të subjekteve politike.
Avancimi i mëtejmë i kornizës ligjore për sa i përket financimit të subjekteve politike është kërkesë e cila del nga Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) si dhe nga standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit Qeveritar për hartimin e Rregullores për flamurin dallues të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me kërkesë të Ministrisë së Financave është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve të kursyera buxhetore në shumën prej 11 milionë euro për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve publike, furnizim me barna dhe specializim të stafit shëndetësor.
Në parim ka marr miratimin e Qeverisë edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”; Marrëveshja bilaterale e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për asistencë teknike ne procesin e integrimeve evropiane.
Edhe Marrëveshja e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e investimeve, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka aprovuar Koncept-dokumentin për trajtimin e Partneritetit Publik-Privat.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e qirasë për Kishën Ortodokse Serbe (KOS), për objektin e shfrytëzuar nga institucionet qeveritare në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Objekti është në shfrytëzim nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Agjensioni Anti Korrupsion. Ngecja e pagesës së qirasë është për periudhën 31 muaj e gjysmë në vlerë prej 9063 euro për një muaj.
Qeveria ka miratuar një vendim me të cilin ka ndarë mjete për të shlyer obligimet e MASHT-it ndaj gjimnazit “Loyola”, sipas memorandumit të bashkëpunimit me rastin e themelimit të këtij institucioni arsimor. Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar të shqyrtojnë të gjitha marrëveshjet e lidhura nga dikasteret qeveritare që prodhojnë obligime financiare, dhe varësisht me kornizën ligjore të procedohet me këto marrëveshje.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe një vendim që bënë të implementueshëm ligjin për mbështetje juridike dhe financiare të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të personave të akuzuar potencialë nga Dhomat e Specializuara, dhe do të krijojë një komision ndërqeveritar për mbikëqyrjen e zbatimit të mbështetjes sipas Ligjit.
Në mbyllje të mbledhjes, kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar për gatishmërinë e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për të prezantuar raportin e gjetjeve për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri ka paralajmëruar se ky raport do të prezantohet një njërën nga mbledhjet e ardhshme, pas konsultimeve që do të zhvillohen mes institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.