03 Maj 2024

Qeveria miraton Buxhetin prej 1,586 milion euro për vitin 2013

Prishtinë, 29 tetor - Qeveri e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2013, dhe të njëjtin do ta procedojë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova dhe institucionet e saja janë të përgatitura për të mirëpritur vizitën e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Catherine Ashton.

“Kjo vizitë është shprehje e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për Kosovën. Njëkohësisht është edhe mesazh për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit në procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hapjes.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministri i Financave, Bedri Hamza ka bërë prezantimin e Projektbuxhetit për vitin 2013, i cili është rezultat diskutimeve të zhvilluara me të gjithë akterët e brendshëm institucionale dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Përgatitja e Projektbuxhetit 2013 është bërë brenda afateve dhe kornizës ligjore dhe ai është në përputhje me objektivat e Qeverisë së Republikës së  Kosovës për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe qëndrueshmëri makrofiskale.

Projektbuxheti 2013 ka marrë parasysh edhe rreziqet ndikimeve nga kriza aktuale në vendet e eurozonës dhe në ekonomitë e vendeve tjera të rajonit.

Hamza ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2013, planifikon të hyrat e përgjithshme vendore në vlerën prej 1,423 milion euro, ndërsa shpenzimet kapin shifrën prej 1,586 milion eurosh.

"Ne presim që edhe në vitin 2013 dhe vitet në vijim, ekonomia e Kosovës të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes. Në të vërtetë, ne presim që edhe në vitin 2013, norma e rritjes ekonomike të jetë ndër më të lartat në regjion (4.5%), falë projeksioneve tona për rritje të Konsumit, Investimeve dhe eksporteve", ka theksuar Hamza.

Konsumi agregat për vitin 2013 dhe dy vitet në vijim sipas tij pritet të ketë një rritje mesatare prej rreth 6.2%, ndërsa vetëm konsumi privat pritet të ketë një rritje më të lart mesatare prej rreth 6.9% (2013=5.2%).

Investimet private, si një komponent shumë e rëndësishme e rritjes ekonomike pritet që gjatë tri viteve të ardhshme të rriten me një normë mesatare prej rreth 7.8% (2013=9.1%)

Ai po ashtu ka theksuar se eksportet totale në vitin 2013 pritet të kenë një rritje prej rreth 11.5% ndërsa vetëm eksportet e mallrave, do të rriten me mbi 18%.

"Kjo normë relativisht e lart e pritjes për rritje të eksporteve, së bashku me një normë më të ulët të rritjes së importeve (5.8%) pritet që ta përmirësoj Bilancin negativ tregtar që vazhdon të jetë mjaft i lart dhe që paraqet sfidë të rëndësishme për ne."

Për vitin e ardhshëm, projeksionet e ministrisë që marrin parasysh edhe pritjet për ecurinë e çmimeve të importit, tregojnë se do të kemi një ngritje modeste të çmimeve për rreth 1.5%.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar listën e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovarë të Privatizimit dhe është informuar për punën e Komisionit për verifikimin dhe njohjen e statusit të dëshmorit, invalidit dhe veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)