Qeveria miraton buxhetin për vitin 2023 në vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë euro
Prishtinë, 28 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 103-të ku në rend dite ishte edhe Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Kryeministri, Albin Kurti, ka bërë të ditur që buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro. Kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 493 milionë euro në kategorinë “Mallra dhe Shërbime”, 1 miliard e 98 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere” dhe 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”, tha ai.
Ai ka thënë se kanë shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet që nënkupton më shumë inspektorë të punës ashtu që të mbrohen të drejtat e punëtorëve, më shumë inspektorë në shëndetësi që të sigurohet cilësia e shërbimeve, më shumë inspektorë të tregut që të sigurohet mbrojtja e konsumatorit, dhe më shumë inspektorë tatimorë që të sigurohet mbledhja e tatimeve që mundëson ofrimin e shërbimeve më të mira publike.
"Kemi ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror dhe lokal. E nga këto, 60 milionë euro janë për barna esenciale, për t’u siguruar që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve."
"Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore, duke shtuar buxhetin përkatës. Rritjen e buxhetit në infrastrukturën shëndetësore e kemi shoqëruar edhe me rritjen e numrit të stafit mjekësor ku kemi shtuar 400 pozita: 100 në nivel qendror dhe 300 në nivel lokal", ka theksuar kryeministri Kurti.
Ndërsa, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë deri në fund të vitit parashihet rritje ekonomike nga 3.8 deri në 4.1 për qind, kurse vitin 2003 rreth 5.5 për qind.