Qeveria miraton buxhetin e 2014-ës prej 1 miliard e 590 milionë euro
Kryeministri Thaçi në fillim të mbledhjes falënderoi kabinetin qeveritar për koncentrimin dhe fokusimin në punën ditore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me gjithë angazhimet dhe përkushtimet që i kemi para nesh, duke mos u ndikuar fare nga zgjedhjet lokale, por të fokusuar në përkushtimet tona shtetërore, natyrisht, hapësirën kushtetuese dhe ligjore të angazhimit që na jep.
Ne e kemi orientuar dhe i kemi dhënë një kuptim të plotë fushatës elektorale, një gjallëri dhe energji, duke përfshirë gjithë spektrin politik kosovar për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike, të konkurrencës, me gjithë përfshirje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës- theksoi kryeministri Thaçi gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Jemi me besim të plotë se ky proces do të përmbyllet shumë mirë dhe Kosova do ta kalojë testin evropian, ku edhe serbët në veri do të marrin pjesë në zgjedhje, do ti zgjedhin liderët e tyre legjitim dhe Qeveria e Kosovës do të fillojë menjëherë bashkëpunimin e ngushtë, që të kemi investime edhe në atë pjesë të Kosovës, në mënyrë që të krijojmë kushte dhe rrethana shumë më të mira për gjithë qytetarët kudo që jetojnë në Kosovën e re, në Kosovën evropiane tha z.Thaçi.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014.
Bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ministria e Financave ka shqyrtuar me kujdes të gjitha kërkesat e organizatave buxhetore dhe bazuar në strukturën e financimit për vitin 2014, ka propozuar Projekt-Buxhetin për vitin 2014.
Në kuadër të këtij buxheti, të hyrat buxhetore do të jenë 1.458 milion euro (një miliard e katërqind e pesëdhjetë e tetë milion euro), ndërsa shpenzimet do të jenë 1.590 milionë euro (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë euro).
Më tej ministri Beqaj shtoi se rritja ekonomike për tri vitet e ardhshme do të jetë më e larta në rajon mbi 4.6 për qind.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë është miratuar projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit përcaktohet fushëveprimi i auditimit të jashtëm të fondeve publike, ekzekutimin e buxhetit, përdorimin dhe qeverisjen e burimeve publike.
Ky ligj rregullon organizmin, veprimtarinë, dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar nismën e Marrëveshjes Ndërkombëtare për njohjen e ndërsjellë të Patentave të Shoferëve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, Sllovenisë, Italisë dhe Kroacisë.
Përmes kësaj marrëveshje Palët Kontraktuese do të njohin në mënyrë të ndërsjellë kategoritë e patentat e shoferëve mbi bazën e tabelave teknike të barasvlefshmërisë, sipas kësaj marrëveshjeje, pjesë përbërëse të të cilës ato janë.
Me propozimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Udhëzimin Administrativ për substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit dhe gazrat serrë të fluoruara.
Ky udhëzim administrativ rregullon reduktimin gradual dhe eliminimin e konsumit të substancave të reja dhe zvogëlimin e shkarkimeve të gazrave serrë të fluoruara.
Në përmbyllje të mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrja e Ministrisë së Integrimit Evropian, Vlora Çitaku ka informuar kabinetin qeveritar për hapjen e negociatave me Komisionin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Duke theksuar se tashmë ka ndodhur takimi i parë në kuadër të këtyre negociatave, ministrja Çitaku ka shtuar se takimi i radhës do të zhvillohet më 27 nëntor, dhe takimi përmbyllës do të zhvillohet në pranverë të vitit të ardhshëm.
Ministrja Çitaku ka theksuar se takimet në nivel kryenegociatorësh do të zhvillohen në Kosovë, ndërsa takimet në nivel teknik do të zhvillohen në Bruksel.