Qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021
Prishtinë, 22 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e 71-të, në të cilën, ndër të tjera, u miratua edhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes, ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për Kosovën ratifikimi, një ditë më parë, i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në Parlamentin Evropian, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane.
Konsideroj se është një sukses shumë i madh i Kosovës, por po ashtu është edhe shprehje e një pune shumë të madhe e cila është bërë këtu edhe gjatë këtij viti, mirëpo është bërë edhe përpara, sepse është një proces i cili ka zgjat një kohë. Prandaj, ne meritat për gjithë këtë punë do tua japim të gjithë atyre që kanë punuar, veçmas ministrive përkatëse që më tepër kanë pas punë, por edhe komunave.\"
\"Me këtë dëshiroj të theksoj edhe sot se Qeveria e ka përkushtimin e plotë që të punojë bashkërisht në realizimin e MSA-së, sepse hap një rrugë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian, të forcimit të shtetit ligjor, por edhe të bashkëpunimeve në fushat tjera, theksoi kryeministri Isa Mustafa.
Qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021. Hartimi i kësaj Strategjie fokusohet në adresimin e pengesave kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të konkurrencës.
Ky dokument reflekton objektivat e Qeverisë për pesë vitet e ardhshme, por edhe objektivat e parapara këtë vit në programin për reformën ekonomike, e cila gjatë këtij muaji do të dorëzohet në Komisionin Evropian.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një Strategji në të cilën kanë punuar të gjitha ministritë.
Është një punë e përbashkët e të gjithëve, por janë konsultuar edhe agjencitë tjera. Ky është një prej dokumenteve tona më të rëndësishme të këtij viti. Është punuar mjaft gjatë në këtë Strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik.\"
\"Është një prej dokumenteve që adreson politikat tona zhvillimore gjithëpërfshirëse, por po ashtu një dokument i cili liston prioritetet më të larta të zhvillimit në të gjitha fushat gjatë një periudhe shumë të rëndësishme kohore në të cilat ne duhet ti bëjmë reformat dhe ndryshimet strukturore të zhvillimit.\"
\"Vlerësimet janë se kjo strategji do të mundësojë krijimin e veprimeve të përbashkëta të të gjitha organeve dhe iniciativave të përbashkëta, do të parandalojë proceset e dyfishta institucionale, gjë që do të thjeshtëzojë dhe do të krijojë një efiçiencë më të lartë të punës, do të krijojë një hapësirë për një përkrahje më të madhe të institucioneve të ndryshme, edhe të brendshme edhe të jashtme, sidomos institucioneve financiare ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, por edhe veprimtarive tjera, siç është arsimi, shkenca, shëndetësia, që janë forma mbështetëse të zhvillimit ekonomik.\"
\"Është vlerësim se Strategjia është punuar në harmoni të plotë me të gjitha proceset tona strategjike, me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, dhe po ashtu është në harmoni të plotë edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe me pjesë të veçanta të kësaj marrëveshje që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe me bashkërenditjen e zhvillimit ekonomik, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se janë bërë përpjekje që kjo Strategji të koinçidon edhe me Strategjinë e re të Bashkimit Evropian Evropa 2020, dhe po ashtu me ciklin e ri të planifikimit të asistencës së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit.
Në strategji janë paraparë disa prej fushave kryesore. Është përpunuar mjaft mirë kapitali njerëzor dhe domosdoshmëria që të aktivizohet ky kapital njerëzor dhe të bëhet motor i zhvillimit ekonomik të vendit, duke pasur parasysh se kemi një kapital të ri njerëzor të arsimuar mirë dhe potencialisht si resurs të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.\"
\"Është koncentruar mjaftë shumë edhe në sundimin e ligjit dhe në qeverisjen e mirë, me qëllim që të mundësohet siguria juridike dhe efektet e institucioneve për zhvillim ekonomik, për mirëqenie, për drejtësi shoqërore. I është dhënë rëndësi zhvillimit të industrive konkurruese, që synon që të rrisë përkrahjen e shtetit në procesin e riindustrializimit në Kosovë, në mënyrë që të zhvillohen ndërmarrjet private dhe ato të bëhen bartëse të zhvillimit ekonomik në të ardhmen, dhe po ashtu i është dhënë një rëndësi e madhe zhvillimit të infrastrukturës, edhe të infrastrukturës bazike, infrastrukturës tjetër si një prej resurseve dhe mbështetësve të rëndësishëm të zhvillimit strategjik të Kosovës.\"
\"Mendoj se tani jemi në një situatë shumë më të mirë sa i përket dokumenteve zhvillimore dhe se në të ardhmen mund të pritet një bashkërenditje shumë më e mirë qoftë brenda institucioneve qeveritare, por edhe me institucionet tjera të pavarura dhe me institucionet financiare ndërkombëtare. Unë po ashtu përkrah plotësisht këtë Strategji dhe ju propozoj që ta aprovojmë, e pastaj të punojmë në realizimin e saj, tha kryeministri Mustafa.
Kabineti qeveritar aprovoi edhe Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2016-2019, e cila ka për qëllim të adresojë çështjen e sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës, si dhe të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë kibernetike shtetërore.
Qeveria e Kosovës mori vendim për shpalljen e Zonës së Gadimes Zonë e Veçantë.
Edhe Programi për zbatimin e Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2015-2017, mori miratimin e Qeverisë. Me këtë strategji synohet të krijohet një ambient ligjor, rregullator dhe fiskal tërheqës për investitorët, që i siguron Kosovës të ardhura të të njëjtit nivel proporcional me vendet me eksperiencën më pozitive në optimizimin e shfrytëzimit të resurseve minerale.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 04/L-042, për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin 04/L-237 dhe me Ligjin 05/L-068, mori aprovimin e Qeverisë. Lidhur me këtë Projektligj, kryeministri Isa Mustafa kërkoi që Zyra Ligjore ta merr edhe njëherë dhe ta pastrojë krejt tekstin, ti japë gjuhën ligjore dhe tia propozojmë Kuvendit të Kosovës.