Qeveria miratoi Projektligjin për Pagat dhe për Noterinë
Prishtinë, 30 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 125-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën miratoi projektligje, strategji, nisma dhe vendime të tjera nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjin për Pagat, përmes të cilit për herë të parë në Kosovë që nga paslufta vendoset korniza ligjore unike, e cila rregullon pagat me përbërësit e saj.
Ky projektligj do të zbatohet për funksionarët publikë të zgjedhur dhe të emëruar nga të zgjedhurit, nëpunësit që kanë statusin e nëpunësve civil, nëpunësit publik, ofruesit e shërbimeve publike në arsim, shëndetësi dhe polici, dhe nëpunësit tjerë paga e të cilëve paguhet nga fondet publike, rregullimi i të cilave do të bëhet me akte nënligjore.
Kryeministri Isa Mustafa tha se është diskutuar disa herë për këtë projektligj. Diskutimi themelor është sjellë rreth faktit se a i kemi bërë bilancet e qarta dhe a e dimë koston përfundimtare të këtij ligji. Ajo që ne jemi munduar të bëjmë është që ligji të mos ketë ndonjë kosto evidente të re, që ta kemi koston e tanishme të pagave të mbërthyer brenda këtij ligji por që ligji kryesisht do ti konsumoj shtesat që deri më tani i kemi dhënë dhe ato do ti rishpërndaj për barazime të pagave në mënyrë që të sigurojmë një sistem në të cilin njerëzit që kryejnë punë të njëjta do të kenë edhe paga të njëjta, mos të kemi diferenca të tilla çfarë i kemi sot.\"
\"Dhe, unë jam i bindur që këtë e kemi arrit me këtë ligj. Kemi arrit poashtu që disa prej pozitave të marrin paga që e meritojnë dhe që të mos mbesin të nënvlerësuar ashtu siç kanë qenë deri më tani por assesi që të bëjmë ndryshime ose të bëjmë rritje të pagave përmes këtij ligji, tha kryeministri.
Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjin për Noterinë, finalizimi i të cilit është rezultat i një pune të gjatë të bërë me mjaft përkushtim nga Ministria e Drejtësisë, përmes së cilit synohet të avancohet tutje legjislacioni i noterisë, duke u mundësuar noterëve infrastrukturë ligjore të përshtatshme për lehtësimin e punës së tyre, por krahas kësaj edhe rritjen e përgjegjësive të tyre.
Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, i cili bëhet me qëllim të përmirësimit të Kornizës qeverisëse dhe kontrolluese të Bankës Qendrore. Projektligji është në përputhje me prioritetet e Qeverisë dhe ndërlidhet me zbatimin e Marrëveshjeve me institucionet financiare ndërkombëtare dhe menaxhimin e mirë të financave publike.
Miratimin e Qeverisë, e mori edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në mes të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, krijimi i së cilës zyrë ndërlidhet drejtpërdrejt me objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim implementimin e marrëveshjes për themelimin e zyrës rajonale për bashkëpunim rinor, si institucion i pavarur ndërkombëtar për mbështetjen e shkëmbimeve rinore.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe nisma për aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën Ndërkombëtare për Bashkëpunim Policor në Evropën Juglindore të datës 05.05.2006, që ka për synim anëtarësimin në kuadër të kësaj Konvente në të cilën aktualisht janë 11 shtete, 5 prej tyre shtete anëtare të BE-së. Ratifikimi dhe inkuadrimi i Republikës së Kosovës në kuadër të kësaj konvente fuqizon më tutje bashkëpunimin rajonal policor, luftën kundër krimit dhe në veçanti kundër krimit ndërkufitar.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi përfundimtar për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i rreth rrotullimit që lidhë rrugën nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë me rrugën lokale Vushtrri-Gojbulë, Komuna e Vushtrrisë.