Qeveria miratoi Projektligjin për Ndërmarrjet Publike
Prishtinë, 7 mars - E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregull, në të cilën ka aprovuar projektligje, rregullore dhe vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare dhe OKB-së, ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
Kjo dëshmon se ne jemi vend sovran dhe vendimet e institucioneve shtetërore të Kosovës respektohen edhe nga faktorët ndërkombëtarë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka shprehur vlerësimin edhe sa i përket miratimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, të cilin e ka vlerësuar në përputhje me vizionin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe krijim të instrumenteve ligjore për nxitje të investimeve në Republikën e Kosovës.
Kryeministrit Thaçi lidhur me këtë projektligj tha se sot miratojmë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, përmes të cilit vendoset baza ligjore që me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës të hiqen nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrjeje dhe si rrjedhojë regjistrimin e tyre si ndërmarrje publike në pronësi të Republikës së Kosovës.
Miratimi i këtij ligji sipas tij është në përputhje të plotë me vizionin dhe prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku përmes krijimit të mundësive për zhvillimin e resurseve minerare dhe zgjerimit të modernizimit të industrisë së përpunimit minerar garantohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, hapje e vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Thaçi ka theksuar gjithashtu se përmes këtij ligji mundësohet krijimi i kushteve ligjore dhe institucionale për rritjen e shpejte të investimeve në sektorin minerar, forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, rritjen e interesit të komunitetit dhe garantimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
\"Dëshiroj të theksoj se synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë që ta zhvillojnë më tutje një nga arteriet kryesore të zhvillimit të vendit, e cila ka kontribuar shumë historikisht në ekonominë e Kosovës dhe më gjerë, ka qenë katalizator i mirëqenies sociale të shumë familjeve të Kosovës theksoi Kryeministri Thaçi.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria ka aprovuar Projektligjin për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Çështjet kryesore të trajtuara në këtë projektligj kanë të bëjnë me krijimin e bazës juridike që me vendim të Kuvendit të Kosovës të hiqen nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrje të caktuara shoqërore ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore dhe këto të regjistrohen si ndërmarrje publike në pronësi të Republikës së Kosovës.
Sipas Projektligjit, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndonjë ndërmarrje shoqërore, ose njësi të caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, përfshirë asetet e tyre, dhe të autorizojë Qeverinë që këtë ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë e caktuara organizative të një ndërmarrje shoqërore, ti regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës e merr këtë vendim nëse për një veprim të tillë ekziston një interes madhor publik.
Dokumenti tjetër që ka marrë sot miratimin e Qeverisë së Kosovës është Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.
Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullimit të brendshëm të kësaj akademie.
Edhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës në Thesarin e Kosovës, ka marrë miratimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo rregullore përcakton kornizën ligjore për funksionimin, detyrat dhe përgjegjësit e Thesarit.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për llojin dhe sasinë minimale të mjeteve dhe pajisjeve për mbrojtjen personale dhe kolektive nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Rregullorja përcakton sasinë e domosdoshme për realizimin e mbrojtjes personale dhe kolektive të qytetarëve dhe punësuarve në objektet afariste dhe në ndërtesa banimi, nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.