15 Nëntor 2024

Qeveria miratoi Projektligjin për Investime Strategjike

Prishtinë, 1 dhjetor - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të 61-tën me radhë, ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës dhe vendime tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, i cili ka për qëllim nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.

Ky Projektligj, po ashtu, ka për qëllim të përcaktojë procedurat administrative dhe kriteret për vlerësimin, zgjedhjen, implementimin dhe mbikëqyrjen e projekteve strategjike si dhe procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së Republikës së Kosovës, për qëllim të zbatimit të projekteve për investime strategjike.

Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha investimet strategjike, që përcaktohen të tilla në bazë të kritereve dhe procedurave të përshkruara në këtë ligj, për sektorët energjetikë dhe minerar, turizëm, bujqësi, industri ushqimore, teknologji industriale, transport, telekomunikacion, arsim, sport dhe rekreacion, shëndetësi, naftësjellës dhe gazsjellës, administrim të ujit dhe ujërave të zeza, mbledhje, deponim, riciklim dhe menaxhim të mbeturinave.

Kryeministri Mustafa theksoi se ky projektligj do t’i procedohet Kuvendit në shqyrtim dhe aprovim.

“Në qoftë se në ndërkohë kemi ndonjë sugjerim të Komisionit Evropian, prapë do ta procedojmë edhe atë në Kuvend, por edhe ministria edhe të gjithë akterët tjerë që kanë marrë pjesë në përgatitjen e këtij Ligji, janë munduar t’i shfrytëzojnë të gjitha ligjet e vendeve në rajon të cilat janë të natyrës së tij. Dëshirojmë që përmes këtij Ligji edhe të kontribuojmë në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, por po ashtu edhe të jemi konkurrent me kushtet të cilat i ofrojnë vendet tjera, sepse në këtë rast ne jemi disavantazh në krahasim me përparësitë të cilat kanë krijuar vendet tjera, sa i përket mundësisë së tyre që drejtpërsëdrejti të merren vesh lidhur me investitorët potencialë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Edhe Rregullorja për metodologjinë e vlerësimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, është aprovuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Kjo Rregullore përcakton metodologjinë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale dhe të mirat tjera si pasojë e fatkeqësive natyrore, autoritetin që bënë vlerësimin e dëmit, përbërjet e komisioneve dhe çështje tjera me rëndësi për organizimin dhe zbatimin e vlerësimit të dëmeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, ka miratuar dy vendime për miratimin në parim të nismave për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2014 dhe IPA 2015, për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja përfshinë një fond prej 2 milionë euro, që do të ndahet proporcionalisht në mes të dyja vendeve dhe fuqizon marrëdhëniet fqinjësore në mes të dy shteteve.

Me vendimin e miratuar sot në mbledhje, janë emëruar drejtorët në Bordin e Ndërmarrjes Publike, Kompania e Ujitjes Drini i Bardh Sh.A. në Pejë.

Qeveria ka autorizuar Komitetin për Partneritete Publike Private për analizimin dhe paraqitjen e alternativave rreth implementimit të projekt-propozimit për zgjatjen dhe ngritjen e kapaciteteve të pistës së Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”. Projekti përfshinë zgjatjen dhe ndriçimin e pistës.

Kabineti qeveritar ka miratuar në parim nismën për fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e rrugëve rajonale  në Republikën e Kosovës.

Marrëveshja për këtë projekt ka për qëllim rehabilitimin e rrugës nga Kllokoti deri në Gjilan me gjatësi prej 17 kilometra, përmirësimin e rrugës hyrëse në qytetin e Ferizajt, me gjatësi prej 5.6 kilometra,  përmirësimin e rrugës hyrëse në qytetin e Gjilanit, prej 2.9 kilometra, përmirësimin e rrugës hyrëse në qytetin e Prizrenit prej 2.7 kilometra të gjatë. Marrëveshja do të përfshijë një kredi prej 29 milionë euro, me kushte shumë të favorshme të kthimit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)