06 Nëntor 2024

Qeveria miratoi Projektligjin për financimin e partive politike

Prishtinë, 9 tetor - Mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e ka nisur, duke u shprehur ngushëllime miqve dhe bashkëpunëtorëve të ish-gazetarit Ibrahim Rexhepi, njëherit këshilltar politik i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

Duke e vazhduar mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në Programin Legjislativ të vitit 2018 të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të përfshihen: Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ (Agjencioni Gjerman Për Bashkëpunim Ndërkombëtar) për Bashkëfinancimin e Projektit Cetep, Projektligji për Tregti të Brendshme dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit  për Letërnjoftimin.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financim e subjekteve politike.

Me plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit parashihet që të sqarohen disa nga dispozitat ligjore, me theks të veçantë te kontrolli i financimit të subjekteve politike, auditimit të raporteve financiare dhe publikimi i tyre. Gjithashtu me projektligj përcaktohen edhe masat ndëshkuese për subjektet që nuk respektojnë kërkesat e dala nga ky ligj.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për financimit të partive politike është bërë me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftës së korrupsionit. Ligji ka marrë për bazë edhe opinionet e Komisionit të Venedikut që janë inkorporuar në ligj.

Edhe Projektligji për produktet biocide ka marr miratimin e kabinetit qeveritar. Projektligji rregullon funksionimin e tregut të brendshëm dhe bënë harmonizimin e rregullave për vënien në treg dhe përdorim të produkteve biocide, me qëllim të sigurimit të shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Rregulloren për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës. Kjo Rregullore përcakton procedurat me qëllim të kalimit nga sistemi ekzistues në sistemin e ri të emërimit në pozita të larta drejtuese të përcaktuara me Ligjin për shërbimin civil dhe aktet tjera nënligjore.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarjen e mjeteve financiare për Policinë e Kosovës, me qëllim të kompensimit të pagesave shtesë për zyrtarët policorë për punën e angazhimit jashtë orarit gjatë këtij viti.

Shuma e ndarë është 2 milionë e 600 mijë euro dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së performancës, efikasitetit dhe efektivitetit në arritjen e objektivave kushtetuese dhe ligjore të Policisë së Kosovës.

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe GIZ (Agjencinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar për bashkëfinancimin e projektit CETAP (Krijimin e punësimit përmes promovimit të eksportit).

Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe Koncept dokumenti për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjes së vijave llogaridhënëse për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës.

Koncept dokumenti synon hartimin e një plani të veprimit për racionalizimin e agjencive, me qëllimi uljen e numrit të përgjithshëm të tyre. Qëllimi i këtij ndryshimi është rritja e efikasitetit dhe efiqencës dhe përmirësimi i llogaridhënies dhe mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për ndarjen e buxhetit shtesë prej 650 mijë eurove për Zyrën për Çështje të Komuniteteve.

Kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për tatimin e normës së akcizës në Kosovë, sipas të cilit norma e akcizës për cigaret e prodhuara në Republikën e Kosovës përllogaritet duke përdorur metodën sipas vlerës dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë në normën 30 për qind të vlerës së shitjes me pakicë.

Tri vendime përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, janë miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë.

Me vendimet e aprovuara janë shpronësuar: Pronat e ish ndërmarrjes shoqërore “Ereniku” të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane”; Prona e paluajtshme e ish-Radio Televizionit të Prishtinës në Zabel të Ulët të komunës së Drenasit për ndërtimin e fushës së sportit “Stadiumi sintetik” dhe “Objekti afarist – Përdhes” ish-Barnatorja e qytetit të Prishtinës për nevojat e akomodimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit për autorizimin e FC Prishtina, Sh.p.k. që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar dokumentacionin për dhënien në shfrytëzim të pronës.

Me vendimin e miratuar sot është përcaktuar kompensimi për anëtarët e bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes së re Energjetike të Kosovës Sh.A./NKEC dhe të bordit mbikëqyrës të Trepça Sh.a.

Në parim kanë marr miratimin e kabinetit qeveritar nismat për nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Malit të Zi për bashkëpunimin ndërkufitar IPA II, që në total kap shumën prej 2 milionë eurove për të dyja vendet; nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës; dhe nisma për negocimin e “Marrëveshjes së Financimit për projektin e Forcimit të Sektorit Financiar” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, është miratuar vendimi për përjashtim nga procedurat e Ligjit të prokurimit publik furnizimi dhe pajisja me armë e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka informuar për pjesëmarrjen në konferencën rajonale për Dixhitalizimin e Ballkanit Perëndimor në Malin e Zi, që është organizuar nga RESPA (Shkolla Rajonale për Administratën Publike) dhe në të cilën ka marr pjesë edhe komisionerja për dixhitalizim e Komisionit Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)