16 Nëntor 2024

Qeveria miratoi Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2016

Prishtinë, 30 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 56-të, në të cilën miratoi Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka përshëndetur dorëzimin e kërkesës nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dhënien e mendimit për marrëveshjen e asociacionit.

Kryeministri Mustafa tha se ky hap është përshëndetur nga ai edhe nga zëvendëskryeministri Thaçi, edhe në cilësinë e kryetarëve të subjekteve partnerë të koalicionit qeveritar. 

“Vlerësojmë se është një hap i mirë sepse është Gjykata Kushtetuese ajo që do ta jap vlerësimin më meritor lidhur me atë se a është kjo marrëveshje në harmoni të plotë me Kushtetutën e  Republikës së Kosovës apo jo.\"

\"Një gjë të tillë, ne e kemi paraparë edhe me marrëveshje sepse pjesë e kësaj marrëveshje është që ajo, në të gjitha fazat, të shkojë për mendim në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, kjo nuk paraqet kurrfarë bllokimi ose suprimimi të marrëveshjes sonë që e kemi bërë në Bruksel, por është një prej procedurave në të cilat ne e verifikojmë përshtatshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar për nismën e MPJ-së për fillimin e procedurës për negocimin e marrëveshjes së përkohshme për vendin nikoqir, dhe marrëveshjen për vendin nikoqir, duke u bazuar në vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për të themeluar Gjykatën Speciale.

“Themelimi i saj në Hagë të Holandës kërkon një marrëveshje në mes të dy vendeve tona. Në këtë nismë do të themelohet një grup punues që do të udhëheq negociatat për të përmbyllur këtë proces. Grupi punues do të udhëhiqet nga MPJ-ja, ndërsa anëtarë të saj do të jenë edhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Kuvendi i Kosovës, si dhe përfaqësues nga Presidenca. Rekomandoj themelimin e kësaj nisme, që pastaj të vazhdohet me punët konkrete”, tha zëvendëskryeministri Thaçi. Kabineti qeveritar e miratoi këtë nismë.

Zëvendëskryeministri Thaçi, po ashtu, e ka informuar Qeverinë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe organizatat tjera ndërkombëtare, duke bërë të ditur se procesi i anëtarësimit të shtetit të Kosovës në UNESCO është në rrugë të mbarë.

“Jemi në një proces pozitiv, me një  angazhim maksimal të të gjithë potencialit tonë shtetëror, me kontakte të vazhdueshme me të gjithë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe me vendet që ende janë në proces të njohjes.\"

\"Natyrisht se kemi kontaktuar edhe me ato vende që ende hezitojnë ta njohin Kosovën, në mënyrë që të kemi një mbështetje sa më të gjerë për anëtarësimin e vendit tonë në UNESCO. I gjithë ky përkushtim është për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore, si vlerë, standard, por edhe si pasuri e gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu edhe për kultivimin dhe afirmimin e edukimit, arsimit, shkencës dhe gjithë segmentit që ndërlidhet me kornizat e veprimit të UNESCO-s”, u shpreh Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, po ashtu, tha se në të njëjtën kohë po ballafaqohen me një fushatë tepër arrogante dhe agresive, dhe të padrejtë të shtetit të Serbisë, ku janë bashkuar shtet, kishë dhe akademi e shkencave.

“Vlerësojmë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është i drejtuar kundër askujt, nuk është i drejtuar as kundër Serbisë. Përkundrazi, ne vlerësojmë se do të ishte edhe në të mirën e fqinjëve tanë, por mbi të gjitha është në të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi i bëri thirrje opozitës kosovare që të jetë konstruktive.

“Është me rëndësi që do të kemi ratifikimin e MSA-së javën tjetër, dhe do të vazhdojmë me përkushtime të tjera gjatë ditëve në vijim. Më lejoni të bëjë një ftesë për opozitën kosovare. Dua të theksoj se sa më tepër gaz lotsjellës që ka në Kuvendin e Kosovës dhe dhunë, aq më e zbehtë do të jetë edhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës nga partnerët tanë në UNESCO”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.

Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe miratuar Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, në vlerë prej 1 miliardë e 680 milionë euro. Projektligji për Buxhetin 2016, reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për  adresimin e objektivave zhvillimore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies për qytetarët duke qenë plotësisht në harmoni edhe me FMN-në.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.

Ky Projektligj ka për qëllim të përcaktoj parimet, objektivat kryesore dhe organizimin e arsimit të lartë, si dhe rregullat për krijimin, organizimin, funksionimin, mbylljen, financimin, akreditimin dhe licencimin e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me standardet më të mira evropiane.

Është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Rehabilitimit të Rrugës Hekurudhore 10, në vlerë prej 39.9 milionë euro.

Edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Financiar 2014, për Projektin e Huas, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar.

Qeveria ka miratuar edhe Raportin Nëntëmujor për Buxhetin e vitit 2015.

Është aprovuar vendimi për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike. Programi për Reformën Ekonomike do të përgatitet si pjesë e dialogut të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Programi synon të fuqizojë qëndrueshmërinë makroekonomike dhe fiskale dhe rritjen afatgjatë ekonomike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e Drejtorëve në Bordin e Agjensionit Kosovar për Privatizim.

Në mbledhjen e sotme, me vendime të ndara janë emëruar drejtorët në bordet e ndërmarrjeve publike: Kompania e Ujitjes Radoniqi-Dukagjini Sh. A. Gjakovë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina Sh. A. Prishtinë; Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh. A. Prizren dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava, Sh. A. Gjilan.

Është aprovuar vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave, për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për Masat e Efiçiencës në Energji për nivelin komunal.

Qeveria ka miratuar vendimin për miratim në parim të Nismës së Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Bashkëpunim Financiar me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë për vitin 2015.

Është miratuar Udhëzimi Administrativ për përcaktimin e kostos së shpenzimeve të transportit të mallrave të importuara. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është zbatimi i neneve nga 33 deri në 37 të Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për shpalljen e konkursit dhe themelimin e komisionit ‘ad hoc’ për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar në Bordin e Komisionit për Miniera dhe Minerale.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, janë ndarë mjete shtesë për mbulimin e minusit në paga për muajin tetor 2015, për komunat: Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Kllokot.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)