Qeveria miratoi planin reformator dhe zhvillimor për Kosovën
Prishtinë, 18 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e dhjetë të rregullt në të cilën ka debatuar dhe aprovuara prioritetet e zhvillimit ekonomik të Kosovës për periudhën 2011-2014.
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka theksuar se këto prioritete janë nxjerrë nga programi i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ky plan prioritetesh parasheh një qasje të re të zhvillimit ekonomik, të bazuar kryesisht në sektorin privat. Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dua të shpreh mirënjohjen time të lartë për gjithë nëpunësit e niveleve të ndryshme qeveritare, për punën serioze që e kanë bërë në këtë drejtim. Dua të falënderoj Qeverinë e SHBA, USAID-in, Komisionin Evropian, Bankën Botërore, DIFID-in, për punën e bërë në hartimin e këtij dokumenti.
Hartimi i prioriteteve të zhvillimit ekonomik të Kosovës, prioriteteve strategjike dhe politikave të nevojshme për tu zbatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të rritjes së qëndrueshme ekonomike, është hapi tjetër që do të çojë drejt konsolidimit dhe zhvillimit ekonomik, që bazohet kryesisht në zhvillimin e sektorit privat, dhe përmirësimit të mirëqenies sociale të gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.
Në vazhdim të fjalës së vet, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ekonomia e Kosovës tashmë ka tejkaluar krizën duke shënuar rritje gjatë vitit të kaluar deri në gjashtë për qind ndërsa parashikimet tregojnë për vazhdimin e rritjes ekonomike të Kosovës.
Ky është një plan për një Kosovë evropiane, të zhvilluar dhe euro-atlantike. Synimet janë ambicioze, por janë analizuara shumë mirë dhe janë të realizueshme, në veçanti rritja ekonomike që parashohim prej 7 deri në 8 për qind dhe ulja e papunësisë 8 deri në 10 për qind, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Në vazhdim të mbledhjes, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dh Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci kanë prezantuar objektivat e sektorëve të veçantë të prioriteteve për vizionin e zhvillimit ekonomik të Kosovës 2011-2014.