Qeveria miratoi Planin Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave
Prishtinë, 22 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozim-Vendimin për miratimin Planit Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave, të cilën Propozim-Vendim e prezantoi sot në mbledhjen e Qeverisë ministri i Financave Avdullah Hoti.
Qeveria e Kosovës me këtë rast autorizoj Ministrinë e Financave të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme, përfshirë krijimin e strukturave ndërinstitucionale, buxhetin përkatës dhe krijimin resurseve njerëzore.
Ministri i Financave në bazë të këtij Vendimi do të themeloj një Grup koordinues për të udhëhequr këtë proces, i cili grup do të përgatit ndryshimet legjislative dhe planin detal për funksionalizim të agjencisë së të hyrave, dhe gjithashtu Ministri i Financave do të siguroj resurset e nevojshme njerëzore dhe buxhetore për këtë Agjencion.
Në përputhje me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (2015-2018) dhe Planin e Veprimit 2015-2018, ku parashihet bashkimi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganave të Kosovës (DK) në një agjenci të përbashkët të të hyrave, Ministria e Financave (bazuar në vendimin e Ministrit nr. 07/2015, të datës 09.03.2015) ka përgatitur këtë dokument që ofron arsyeshmërinë e këtij veprimi, si dhe hapat konkrete që duhet ndërmarrë gjatë këtij procesi.
Në bazë të planit indikativ për krijimin e Agjencisë së të hyrave, pas krijimit të bazës ligjore ku parashihet hartimi dhe aprovimi i Ligjit për themelimi dhe funksionimin e kësaj Agjencie dhe pas aprovimit në Kuvend të këtij ligji, menjëherë parashihet të filloj bashkimi formal i DK-së dhe ATK-së në një Agjencion dhe në janar të vitit 2017 të bëhet funksionalizmi i plot i punës së Agjencisë.
Krijimi i këtij Agjencioni të përbashkët të të hyrave bazohet në nevojën për përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve, reduktimin e hendekut tatimor përmes strukturave më të thjeshta dhe më efektive të mbledhjes së tatimeve; rritjen e efikasitetit në mbledhjen e tatimeve dhe zvogëlimin e kostove gjatë këtij procesi, rritjen e autonomisë të strukturave institucionale që merren me mbledhjen e të hyrave, krijimin e strukturave institucionale më efektive për implementimin e politikave tatimore dhe doganore, si dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme për procesin e integrimit në BE.