18 Nëntor 2024

Qeveria merr vendim për revokimin e vendimit për pagat e zyrtarëve të lartë

Prishtinë, 14 mars - Qeveria merr vendim për revokimin e vendimit për pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe vendosë që dedikimi i këtyre parave të shkojë për shërimin e fëmijëve, që vuajnë me sëmundjet e rënda

Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar rregullore dhe vendime nga fushat e saj të papërgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin  në lexim të parë të Projektligjit për Veteranët dhe shprehu besimin se Kuvendi i Kosovës do të procedojë shpejt miratimin e këtij Ligji edhe në leximin e dytë.


Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për nënshkrimin e Kontratës së Përgjithshme Kolektive. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, kryeministri Thaçi ka theksuar:

 
“Ju njoftoj se në bazë të nenit 90 të Ligjit të Punës, Dispozitat e ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social dhe Ligjit mbi Organizimin Sindikal në Kosovë, Organizatat e Punëdhënësve, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, Organizata të të Punësuarve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, pra Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi vendosur që janë javën e ardhshme të nënshkruajmë Marrëveshjen e përgjithshme kolektive të Kosovës. Kjo marrëveshje është në harmoni të plotë me organizata e përmendura më lartë dhe është e konsultuar plotësisht me ta.

Pra, në ditët e ardhshme ne do të nënshkruajmë Marrëveshjen e përgjithshme kolektive të Kosovës.

 
Me dispozitat e kësaj marrëveshjeje rregullohet: themelimi i marrëdhënies së punës; orari dhe

pushimet; pagat, kompensimet dhe të ardhurat tjera personale; informimi i të punësuarve; ndërprerja e kontratës së punës dhe të drejtat dhe obligimet e palëve dhe mënyra e zgjedhjes së kontesteve.

 
Qëllimi i lidhjes së kësaj marrëveshjeje është përcaktimi dhe rregullimi më i qartë dhe më i detajuar i të drejtave, përgjegjësive dhe detyrimeve të palëve në këtë marrëveshje.

Palë në këtë marrëveshje të përgjithshme kolektive të Kosovës janë: përfaqësuesit e punëdhënësve, përfaqësuesit e të punësuarve dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila është garantuese për implementimin e kësaj marrëveshje.

 
Duke e falënderuar edhe Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Odën ekonomike të Kosovës, Aleancën kosovare të Biznesit dhe gjithë ekspertët që kanë ndihmuar në arritjen e një dokumenti të qëndrueshëm, profesional, një dokumenti që është plotësisht në përputhshmëri edhe me kërkesat, nevojat dhe aspiratat që potencuam ne, por edhe vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 
Unë dëshiroj që duke i falënderuar, natyrisht të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mëtejshëm edhe në ditët e ardhshme dhe të nënshkruajmë Marrëveshjen e Kontratës Kolektive të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

 

Kabineti qeveritar e ka miratuar propozimin e kryeministrit Thaçi për revokimin e vendimit për pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit, duke përfshirë, Presidencën, Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Qeverinë dhe dedikimi i këtyre parave të shkojë për fëmijët që vuajnë me sëmundjet e rënda si, kanceri, leukemia dhe sëmundjet tjera të ndryshme.

Kryeministri Thaçi para anëtarëve të qeverisë ka arsyetuar vendimin duke theksuar:
 

“Duke u nisur edhe prej rrethanave dhe prej opinioneve të krijuara, por edhe në të njëjtën kohë, gjithmonë qëllimi dhe përcaktimi ka qenë që të kemi një nivelizim të pagave sa më të përshtatshme dhe të pranueshme, të propozojmë sot, revokimin e vendimit për pagat e zyrtarëve të lartë të shtetit, duke përfshirë, Presidencën, Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe Qeverinë dhe dedikimi i këtyre parave të shkojë për fëmijët që vuajnë me sëmundjet e rënda si, kanceri, leukemia dhe sëmundjet tjera të ndryshme.
 
Gjithashtu ju njoftoj se kemi marr vendim që të revokohet vendimi për ngritjen e pagave për të gjithë zyrtarët e lartë shtetit, duke u nisur nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria.

 Pra, nga ky vendim do të preken vetëm zyrtarët e lartë që janë me mandat politik dhe në asnjë mënyrë shërbyesit publik.

 
Me revokim të këtij vendimi, ne po kursejmë rreth 5.5 milionë euro dhe dëshiroj t’ju njoftoj se këto mjete do t’ju dedikohen fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe që trajtimi i tyre është i kushtueshëm dhe i papërballueshëm nga familjet kosovare.



Implementimi do të bëhet përmes Ministrisë së Shëndetësisë, duke krijuar një kod të veçantë.

Prandaj, ju lus që me një aprovim të nxjerrim edhe këtë vendim të rëndësishëm” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi dhe kabineti qeveritar e ka miratuar propozimin e kryeministrit.

Duke u bazuar në konkluzionet e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të mbajtur në Prizren më 11 janar 2014 dhe, me qëllim të përkrahjes së popullsisë shqiptare në Komunën e  Preshevës, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar të përkrahin bashkërisht  projektin për ndërtimin e maternitetit në Preshevë, në shumë prej 100 mijë euro. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës, është zotuar që të përkrahë Komunën e Preshevës me shumën prej 50 mijë euro. Ministra e Financave ka pranuar kërkesën nga Komuna e Preshevës në transferim të mjeteve financiare në llogarinë e saj.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka marrë vendim për transferimin e mjeteve financiare në vlerë prej 50 mijë eurove në llogarinë e Komunës së Preshevës në mbështetje të implementimit të projektit të Maternitetit të Preshevës.

 
“Qeveria e Republikës së Kosovës i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të kërkojë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, zbatimin e vendimit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, Nr 340 2001 të datës 11 janar 2002.
 

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kompetencat dhe përgjegjësitë që ka, do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të datës 17 dhjetor 2010.

Obligohet që sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, që vendimin t’ia dërgojë për shqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës qysh sot”, ka propozuar kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa kabineti qeveritar e ka miratuar.
 

Në vazhdim të mbledhjes është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i objektit të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, në zonën kadastrale të komunës së Prishtinës.
 

Edhe vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit që preken nga ndërtimi i segmentit rrugorë që lidhë autostradat Vërmicë-Merdar dhe Prishtinë-Hani i Elezit, është miratuar sot nga Qeveria e Kosovës.
 

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për pronat e paluajtshme që preken nga ndërtimi i Linjës 400 kilovoltshe Kosovë-Shqipëri.

Qeveria e Kosovës ka emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Eset Ramën.
 

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për pagesën e shtesave për stimulim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2014.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)