Qeveria merr vendim për reduktimin e automjeteve
Prishtinë, 12 shkurt - E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të trembëdhjetë, të rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe politika të fushave të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi që autorizon Ministrinë e Administratës Publike për reduktimin e automjeteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike për identifikimin e automjeteve tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ministria e Administratës Publike për të gjitha strukturat e Qeverisë së Kosovës do të kryej procedurat e shitjes, përmes ankandit publik në pajtim me legjislacionin në fuqi, automjetet tepricë dhe ekonomikisht të pafavorshme.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për miratimin e Listës së Autorizuar për Pajisje të Veçanta për institucionet shtetërore të autorizuara të sigurisë për vitin 2015. Lista është konfidenciale dhe institucionet e autorizuara shtetërore do të veprojnë në përputhje me ligjet relevante ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme ka qenë aprovimi i Udhëzimit Administrativ për Implementimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik.
Udhëzimi ka për qëllim të përcaktojë një listë të mallrave ose artikujve të përdorimit të përbashkët, duke rregulluar strukturën dhe përmbajtjen e kategorive dhe artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit.
Udhëzimi përmban listën e artikujve për përdorim të përbashkët, listën e institucioneve që nuk janë të autorizuara të kryejnë procedurat e prokurimit për ata artikuj dhe procedurat e prokurimit. Udhëzimi është i detyrueshëm për të gjitha institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që marrin pjesë në procedurat qendrore të prokurimit publik.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për shpalljen e konkursit dhe ka emëruar Panelin e Posaçëm për identifikimin dhe rekomandimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike, në këtë përbërje:
1. Këshilltar (ZKM), kryesues;
2. Sekretar i Përgjithshëm (MI) anëtar;
3. Këshilltar (MI), anëtar;
4. Këshilltar (MPB), anëtar;
5. Këshilltar (MF), anëtar.
Rregullorja për vendosjen e standardeve minimale për mbrojtjen e derrave të cilët mbahen për majmëri dhe mbarështim. Rregullorja është më përputhje me legjislacionin evropian që rregullon këtë fushë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën për ndarjen e mjeteve shtesë financiare për Komunën e Parteshit, në shumën prej 80 mijë euro për kategoritë buxhetore të mallrave dhe shërbimeve, shpenzimeve komunale dhe subvencioneve dhe transfereve. Vendimi obligon Ministrinë e Komuniteteve dhe Kthimit dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të përmbushin obligimet e tyre sipas Memorandumit të nënshkruar nga këto ministri me Komunën e Parteshit për asfaltimin e rrugëve në këtë komunë.
Është miratuar në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për Partneritet Evropian.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për organizimin dhe funksionimin e strukturave për zbatimin e dokumenteve strategjike të reformës së administratës publike. Sipas vendimit, Zyra e Kryeministrit është përgjegjëse për zhvillimin dhe koordinimin e politikave dhe legjislacionit, Ministria e Administratës Publike për shërbimin civil/publik dhe burimet njerëzore, ofrimin e shërbimeve publike dhe llogaridhënien, ndërsa Ministria e Financave është përgjegjëse për menaxhimin e financave publike.