08 Nëntor 2024

Qeveria kërkon fuqizimin e grave në zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 19 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku u diskutua për avancimin e agjendës ekonomike.

Kryeministri Mustafa, në hapje të punimeve të këshillit, ka folur për zhvillimet dhe arritjet evidente ekonomike të Kosovës.

Duke theksuar arritjet në krijimin e një ambienti të favorshëm për të bërë biznes, kryeministri Mustafa veçoi rezultatet e arritura përmes politikave fiskale, të cilat janë ndërtuar deri më tani dhe të cilat janë të favor të prodhimeve vendore.

Kryeministrit Mustafa, tha se ky Këshill, por edhe format e tjera të angazhimit, kanë kontribuar që Qeveria të mbajë zhvillimin ekonomik si prioritet themelor dhe poashtu të tregojmë rezultate të caktuara, të cilat karshi ambientit në të cilin jemi, janë mjaftë mirë dhe inkurajuese edhe në të ardhmen.

\"Me këtë kemi arritur që prioritetin e zhvillimit ekonomik ta kemi si çështje të parë, edhe përkundër një ambienti politik në të cilin kemi vepruar, e që s’ka qenë shumë i përshtatshëm për këtë.\"

\"Më lejoni të uroj mirëseardhjen e Këshillit të Forumit Ekonomik të Grave në këtë Këshill, i cili forum për herë të parë po merr pjesë në këtë Këshill dhe do të jetë anëtare e tij. Qëllimi është që ne të fuqizojmë rolin e grave në zhvillimin ekonomik, të sigurojmë pjesëmarrjen e tyre në ndërtimin e politikave ekonomike dhe në interpretimin dhe korrigjimin e ambientit politik, në të cilin ne tani ndodhemi.\"

\"Konsideroj që ne kemi arritur të krijojmë një ambient të favorshëm për të bërë biznes, qoftë përmes politikave fiskale, të cilat i kemi ndërtuar deri më tani dhe të cilat janë të favor të prodhimeve vendore në krahasim me ato që i kemi pasur më parë, qoftë edhe si interaksion yni në politikat e përgjithshme ekonomike në regjion\", ka theksuar Mustafa.

Deri më tani janë lëshuar 63 kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që është një nxitje e veçantë.

Në anën tjetër, përmes bankës Evropiane për Zhvillim dhe Ndërtim dhe me ndihmën e donatorëve të tjerë, po implementohet projekti për certifikimin e produkteve kosovare, që do të ndikojë pozitivisht në hapjen e rrugëve për eksport.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka financuar pjesëmarrjen e 190 ndërmarrjeve në 17 panaire të ndryshme, janë ekspozuar shumë produkte të tyre, janë lidhur disa kontrata të rëndësishme. 

\"Ndërkaq, për vitin e ardhshëm janë një numër i projekteve që ne planifikojmë t’i mbështesim qoftë me donacione, qoftë me forma të tjera, sidomos në fushën e bujqësisë, në të cilën është bërë një e arritur shumë e madhe deri më tani, sepse kemi arritur që gati t’i plotësojmë kërkesat e tregut të brendshëm kërkesat e tregut të brendshëm me drithëra që prodhohen në Kosovë.\"

\"Është arritur që të prodhohen produkte bujqësore, të cilat janë konkurruese me vendet e tjera dhe unë falënderoj në këtë rast, veçmas, përkrahjen e USAID-it tek produktet e reja, me të cilat ne kemi arritur të depërtojmë në tregun e jashtëm dhe të krijojmë një kulturë të re të kultivimit të këtyre produkteve, si dhe ministrin e Bujqësisë, i cili është këtu me ne.\"

\"Në mbledhjen e fundit të Qeverisë jemi pajtuar që në parim të fillojmë konsultat me bizneset, me asociacionet e tyre për fazën e dytë të reformës fiskale dhe kjo ka filluar tanimë. Është kyç edhe zëvendëskryeministri në këtë fushë dhe unë mendoj që me këtë edhe më tutje të arrijmë të përshtatim politikat fiskale me nevojat e bizneseve dhe ajo që është me rëndësi themelore, të krijojmë kushte të barabarta të konkurrencës ndërmjet bizneseve tona brenda tregut dhe konkurrencës së tyre me bizneset e jashtme\", ka theksuar kryeministri Mustafa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, që kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës është shndërruar në një mekanizëm mjaft funksional të dialogut publik-privat, i cili po punon në përmirësimin e mjedisit afarist në vend, si një prej top prioriteteve të Qeverisë së Kosovës e cila udhëhiqet nga kryeministri Mustafa.    

“Gjatë këtij viti, siç jeni në dijeni, janë shënuar një varg zhvillimesh pozitive lidhur me avancimin e agjendës sonë ekonomike, dhe me këtë rast, dua të falënderoj Kryeministrin e vendit për lidershipin e tij, kolegët nga KKZHE për angazhimin e tyre, si dhe asociacionet e biznesit të cilët kanë qenë mjaft aktive, bashkëpunuese dhe konsktruktive duke kontribuar kështu në thellimin e dialogut me institucionet qeveritare në funksion të lehtësimit të punës së bizneseve dhe krijimit të politikave në favor të bizneseve nga vendi dhe tërheqjes së investitorëve nga jashtë”, tha ministrja Bajrami.

Ministrja Bajrami u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KKZHE-së por edhe katër Task Forcave në kuadër të ministrive për përmirësimin e ambientit të biznesit që të bëjnë përpjekjet maksimale për përmirësimin e indikatorëve.

“Inkurajoj të gjitha ministritë dhe udhëheqësit e Task Forcave që të bëjmë përpjekje që t’i përmbahemi afateve me të cilat jemi pajtuar në mbledhjen e parë për ciklin e dytë të reformave. Siç tha edhe kryeministri kemi pasur përmirësim në tre indikatorë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne dëshirojmë që të kemi përmirësime në të gjithë indikatorët. Tanimë raporti i Bankës Botërore rendit ambientin e biznesit në krahasim me vendet fqinje dhe ne duhet të jemi konkurrent në mënyrë që të përmirësojmë indikatorët tanë”, tha ministrja Bajrami, duke shtuar se vitin tjetër kur fillojnë sigurimet shëndetësore ka gjasë që nëse nuk arrihet progres në indikatorët tjerë të pësohet regres sa i përket raportit të Bankës Botërore për të bërë biznes.

Ministrja Bajrami, po ashtu, inkurajoi të gjithë ministrat që janë udhëheqës të Task Forcave të ndryshme për indikatorë të të bërit biznes që të japin maksimumin që ne masat afatshkurtra t’i përmbyllim deri më 28 shkurt 2017, ndërsa masat tjera që nuk mund të realizohen afati është deri më 31 maj 2017.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)