04 Maj 2024

Qeveria ka miratuar Projektligjin për Bankat

Prishtinë, 14 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e 52-të të Qeverisë ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me vizitën në Bruksel dhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për liberalizim të vizave.

“Vendimi politik është marr, është çështje teknike e ekipeve se kur do të takohen në Prishtinë apo në Bruksel. Pra është çështje e ditëve të ardhshme. Por, natyrisht Prishtina është e gatshme që t’i hyjë implementimit menjëherë. Është aspekt teknik dhe procedural që duhet të kryhet nga BE”, theksoi Thaçi.

Ai shtoi se pas Kroacisë, Kosova kësaj radhe ka pasur suksesin më të madh, pikërisht falë punës së vet, ka pasur vlerësimin më të lartë evropian për punën që është bërë, për zbatimin e kritereve demokratike.

Ai ritheksoj se nga java e kaluar, me vendimin e Komisionit Evropian, Këshillit të Ministrave, liderëve të BE, për Kosovën në relacionet me Bashkimin Evropian është hapur një kapitull i ri, kapitull i ri historik i ofertës konkrete të Brukselit për Republikën e Kosovës.

Më tutje kryeministri Thaçi para kabinetit qeveritar ka thënë se BE, edhe ato pesë vende që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë qenë unik për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim.

Në të njëjtën kohë, është vlerësuar lartë konstruktiviteti i Kosovës në proceset e raporteve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, me Maqedoninë, Shqipërinë, edhe me Malin e Zi. 

“Kjo nuk është dhuratë nga BE, por është  meritë e Kosovës. Secili  duhet të ndjehet mirë për punën që është bërë, për suksesin që është arritur. Natyrisht, jam i bindur se ne në afat rekord do të implementojmë gjithë listën e prioriteteve që dalin edhe për liberalizimin e vizave, edhe për marrëdhëniet kontraktuale me BE-në.

\"Ka pasur skeptikë që Kosova do të fitojë këtë agjendë konkrete evropiane, por mbi atë skepticizëm ka dominuar puna jonë, përgjegjësia jonë, përgjegjësia evropiane, përgjegjësia për të respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet tona, për të vazhduar me qeverisjen e mirë efektive, të sundimit të ligjit, të luftimit të dukurive negative”, theksoi kryeministri Hashim Thaçi.

Duke folur rreth buxhetit për vitin 2012, kryeministri Thaçi ka thënë se me datën 20 të këtij muaji do të kemi prezantimin dhe  aprovimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2012.

“Kam besim të plotë se buxheti do të kalojë ashtu siç është planifikuar. Ky  është buxheti i vazhdimit të rritjes së pagave për gjithë punëtorët e arsimit, të shëndetësisë, shërbyesve civilë, pjesëtarëve të FSK-ës, policisë, zjarrfikësve, të gjitha kategorive të punëtorisë kosovare.\"

\"Në të njëjtën kohë, flas me bindje të plotë, se viti i ardhshëm do të jetë viti definitivisht i konsolidimit të shtetit tonë në kuptimin edhe në raport me mekanizmat ndërkombëtarë do të hapet perspektivë e re, perspektivë e marrjes së përgjegjësive të plota tona si shtet, por edhe i reformave të thella demokratike. Prandaj, viti i ardhshëm do të vazhdon të mbetet viti i agjendës evropiane për vendin, zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve, një perspektive të gjithanshme”, deklaroi Thaçi.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Projektligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare sponzoruar nga Ministria e Financave (MF) dhe  Projektligjin për Shërbimet e Shoqërisë Informatike nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE)

Është miratuar Plani Zhvillimor Strategjik për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2011-2014 . Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi Plani Zhvillimor i ZKM-së është i hartuar në përputhje të plotë me objektivat e  Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2010-2013 e cila zbaton  rekomandimet e Rishikimit Funksional të Qeverisë të kryera gjatë viteve 2008-2010.

Po ashtu janë miratuar edhe Plani Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vitin 2011-2014  dhe Plani Zhvillimor Strategjik për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2011-2014. 

Qeveria ka miratuar sot një Udhëzim Administrativ për Normat e Lejuara të Shkarkimeve në Ajër nga Burimet e Levizëshme . Ky udhëzim përcakton normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e lëvizshme tokësore - automjetet rrugore, si dhe masat për zbatimin e tyre.

Qeveria ka miratuar kërkesën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për caktimin e kompensimit për anëtarët e Bordit Drejtues dhe Këshillit . Po ashtu sot Qeveria ka aprovuar kërkesën  Policisë së Kosovës për blerjen e pajisjeve konfidenciale me  qëllim të ngritjes së efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e formave të ndryshme të krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës dhe akteve terroriste.

Është miratuar propozimi  për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr. 08/07 të datës 30 mars 2011 që ka të bëjë me Bordin  për Menaxhimin e Pyjeve dhe propozimin  për themelimin e Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për Mbikëqyrjen dhe Koordinimin e zbatimit të  Strategjisë për Integrimin e komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptas për vitin 2009-2015.

Nën të ndryshme kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me një konvoj të ndihmave humanitare nga Rusia për serbët në veri të Mitrovicës. Z. Thaçi ka thënë se në veri të vendit nuk ka krizë humanitare. Adresa e parë në raste të tilla do të ishte  Qeveria e Kosovës.

“Askush nuk është kundër ndihmave por ato për të hyrë në Kosovë duhet respektuar procedurat ligjore. Edhe konvoji i ndihmave nga Rusia duhet tu nënshtrohet këtyre procedurave kufitare. Lidhur me këtë çështje ne jemi në koordinim të plot me EULEX-in dhe KFOR-in”, deklaroi kryeministri Thaçi .  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)