Qeveria ‘Haradinaj’ e sakaton buxhetin
Prishtinë, 22 shkurt - Qeveria e Kosovës i shpenzoi vjet mbi 202 milionë euro më shumë sesa të hyrat e vitit 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të hyrat e përgjithshme në buxhetin e Kosovës kanë qenë 1 miliard e 757 milionë euro, ndërsa shpenzimet e Qeverisë ishin 1 miliard e 929 milionë euro.
Të dhënat e MF-së tregojnë se si janë rritur shpenzimet e përgjithshme në tremujorin e fundit krahasuar me tremujorët paraprakë? Të dhënat flasin se si janë shpenzuar gjatë periudhës tetor-dhjetor 633 milionë euro, prej së cilave 399 milionë euro janë shpenzime rrjedhëse (paga, mëditje, mallra dhe shërbime...), ndërsa shpenzimet kapitale janë 233 milionë euro.
Gjatë periudhës korrik-shtator janë shpenzuar 461 milionë euro, prej së cilave 347 janë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 114 milionë euro shpenzime kapitale. Deputetët e opozitës habiten se si po e bën qeveria ‘rrush e kumbulla’ buxhetin me vendime të papërgjegjshme, si p.sh. ndan nga rezervat e shtetit 180 mijë euro vetëm për një film të dhëndrit të deputetit të PDK-së, Nait Hasani. Deputetët e opozitës dhe analistët thonë se prokuroria duhet që të hetojë qeverinë dhe kryeministrin që nënshkruajnë vendime të tilla deri edhe 53 milionë euro që iu dhuruan ‘Bechtel Enkas’.
Shpenzimet në rritje
Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për efiçiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative.
“Nga ana tjetër, megjithëse kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime. Një element tjetër i rëndësishëm që evidentohet është fakti se në tremujorin e parë shpenzimet për investime janë shumë të luhatshme ndër vite, luhatshmëri e cila deri diku nuk shpjegohet me tendencën e të ardhurave nga taksat dhe tarifat dhe transfertën e pakushtëzuar.
E thënë ndryshe, investimet në nivel vendor duket se reflektojnë më shumë transfertat e kushtëzuara nga ministritë apo grantet konkurruese nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve”, u shpreh ai.“Megjithatë, duhet mbajtur në konsideratë që për vetë natyrën e tyre shpenzimet kapitale kërkojnë më shumë kohë të materializohen dhe performanca e tyre në kohë varet nga disa elementë, përfshirë këtu procesin e prokurimit, i cili shpeshherë, në rastin e investimeve, mund të kërkojë shumë më shumë kohë se vetëm një tremujor”, vijoi më tej Hertica. Mbi 202 milionë euro janë shpenzuar më shumë sesa të hyrat e vitit 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të hyrat e përgjithshme në buxhetin e Kosovës kanë qenë 1 miliard e 757 milionë euro, ndërsa shpenzimet 1 miliard e 929 milionë euro.
Shpenzimet e përgjithshme janë rritur në tremujorin e fundit krahasuar me tremujorët paraprakë. Gjatë periudhës tetor-dhjetor janë shpenzuar 633 milionë euro, prej të cilave 399 milionë euro janë shpenzime rrjedhëse (paga, mëditje, mallra dhe shërbime), ndërsa shpenzimet kapitale janë 233 milionë euro. Në këtë periudhë të hyrat kanë qenë 468 milionë euro”.
Aliu: Rreziku nga bankroti
Analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot” thotë se është për t’u habitur se si qeveria jonë i shpenzoi mbi 202 milionë euro më shumë sesa të hyrat e vitit 2018. “Realisht duke shikuar buxhetin e Kosovës sikur është bërë buxhet i zhvatjes me shpenzime marramendëse, duke e rrezikuar buxhetin dhe shtetin në bankrotim, siç kanë bërë edhe me të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë.
Kjo sepse shpenzimet e përgjithshme në tremujorin e fundit janë rritur krahasuar me tremujorët paraprakë. Edhe gjatë periudhës korrik - shtator janë shpenzuar 461 milionë euro, prej së cilave 347 milionë euro janë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 114 milionë euro shpenzime kapitale. Pra, me këso veprimesh Qeveria po e bën ‘rrush e kumbulla’ buxhetin e vendit me vendime të papërgjegjshme, sikurse që ndan nga rezervat e shtetit 180 mijë euro për filmin e dhëndrit të deputetit të PDK-së, Nait Hasani”, theksoi Aliu.
Lajçi: Zhvatje e sundim
Ndërsa deputeti i opozitës, Ali Lajçi (VV), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje se si kjo qeveri e keqmenagjon buxhetin e shtetit dhe shpenzon pa asnjë kriter. “Shembulli më i mirë për këtë është se si qeveria i ndau madje 500 mijë euro vetëm për 17 Shkurtin, festën e Pavarësisë, që nuk kam asnjë fije dyshimi se këto para u keqpërdorën.
Duke mos dashur që ta zgjas më tepër, e them me përgjegjësi të plotë morale se më nuk kam asnjë mëdyshje se Prokuroria e Shtetit për rastin e mësipërm të 500 mijë eurove të shpenzuara koti e të keqpërdorura , duhet që të hetojnë qeverinë ‘Haradinaj’ urgjentisht, përfshirë këtu edhe rastin kur qeveria nënshkruan vendime të tilla deri edhe 53 milionë euro, që iu dhanë kompanisë “ Bechtel Enka”. Prandaj, derisa të jetë në pushtet kjo qeveri dhe derisa ata të sundojnë në Kosovë, te ne do të ketë vetëm keqpërdorime dhe zhvatje të tilla të buxhetit të shtetit, sepse fundja ky është misioni i vetëm i këtij koalicioni” .
Qytetarët, të irrituar nga plaçkitja
Qytetarët e thonë lirshëm se me këso veprimesh Qeveria po e bën rrush e kumbulla buxhetin e vendit me vendime të papërgjegjshme. Qytetari nga Prishtina, Ismajl Haziri, thotë për “Kosova Sot”, nga ajo si po duket kjo është një shpenzim marramendës dhe pa asnjë kontroll.
“Prandaj, prokuroria duhet që t’i hetojnë se ku shkuan këta miliona me para që janë më shumë se 200 milionë euro. Por, e keqja është se edhe prokuroria është e ndikuar nga politika ditore”, u shpreh ai. Ndërsa, qytetari tjetër, Sokol Plakolli, nga Prishtina, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk është e vërtetë se qeveria këto para po i bën ‘rrush e kumbulla’, ngase këto para po shkojnë për kravata, kostume e darka të shtrenjta të pushtetarëve tanë dhe në jetën e tyre luksoze. “Ndërkaq e vërteta është se kumbullat po i hanë qytetarët, kurse në anën tjetër pushtetarët i kanë benefitet e tyre të panumërta për vete bashkë me paratë. Por, një gjë e di, se me buxhetin e shtetit duhet pasur shumë kujdes se ku po shkon paraja e qytetarit dhe taksapaguesit kosovar”, ka potencuar ai.
(Kosova Sot)