Qeveria gjermane miraton taksë për bankat
Berlin, 1 prill - Qeveria gjermane miratoi vënien e një kontributi të detyrueshëm për bankat si masë për parandalimin e krizave të ardhshme financiare.
Kabineti miratoi linjat themelore për rregulla më të ashpra për tregun financiar. Projektligji megjithatë nuk është hartuar ende.
Kontributi i detyrueshëm prej 1 deri 1,2 miliardë eurosh në vit do të derdhet nga të gjitha institutet e kredisë në një fond të ri stabiliteti.
Gjithashtu planifikohen edhe instrumente të reja për ristrukturimin, ose në rast nevoje shpërbërjen e bankave të mëdha të falimentuara.
Lidhur me këto masa ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble u shpreh sot për gazetarët:
\"Në këtë kuadër duhet të kemi kujdes që të mos rrezikohet, apo cënohet aftësia e sektorit bankar për të çuar përpara ekonominë dhe ristrukturimin ekonomik.\"
Kontributi i detyrueshëm mbi bankat u kritikua ashpër nga opozita në parlament.
Ky kontribut është një \"mashtrim\", pasi volumi prej deri 1,2 miliardë eurosh është krejt i pamjaftueshëm, tha zv/kryetari i grupit parlamentar të SDP-së, Joachim Poß, në një intervistë në televizion.
Edhe të gjelbrit e cilësuan kontributin mbi bankat një \"taktikë elektorale\". Në mbledhjen e kabinetit mori pjesë edhe ministrja franceze e Ekonomisë Christine Lagarde.
Gjermania dhe Franca synojnë të hartojnë një model të përbashkët për rregullimin e tregjeve financiare.