Qeveria gjermane do të ulë taksat
Berlin, 23 qershor - Koalicioni qeveritar do të miratojë sipas informacioneve nga Berlini para pushimeve parlamentare të verës ulje taksash në vlerë mbi dhjetë miliardë.
Lehtësimi i shtetasve do të bëhet i ditur zyrtarisht në mbledhjen e kabinetit në fillim të korrkut, raporton Deutsche Presseagentur.
Më parë kryetari i fraksionit të bashkimit CDU-CSU në parlament, Volker Kauder, pati paralajmëruar në televizionin gjerman ulje taksash brenda kësaj periudhe legjislative.
Ai e arsyetoi hapin me koniunkturën e shkëlqyer me të ardhura në rritje nga taksat.
Nga ky hap do të përfitonin grupet e të ardhurave të ulëta dhe të mesme.
Politikani i CSU-së, specialist i financave, Hans Michelbach e vlerësoi lehtësimin vjetor të taksapaguesve prej 2013-ës me rreth dhjetë miliardë euro.