Qeveria emetoi Letra me vlerë në prej 398.6 milionë euro
Prishtinë, 30 mars - Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2015 janë mbajtur 21 ankande për emetimin e letrave me vlerë, në vlerë nominale prej 398.6 milionë euro.
Numri i përgjithshëm i ankandeve është i njëjtë me vitin 2014, mirëpo vlera nominale e emetuar ishte 302.2 milion euro ose 1.2 përqind më e ulët se sa në vitin 2014. Gjatë vitit 2015, qeveria e Kosovës ka emetuar numër dhe vlerë më të vogël të bonove të thesarit krahasuar me vitin paraprak. Deri në dhjetor 2015, numri i bonove të thesarit të emetuara ishte 14 krahasuar me 17 deri në dhjetor 2014.
Krahas rënies në numër, emetimi i bonove të thesarit tregoi rënie edhe në vlerë në 278.6 milionë euro nga 345.0 milionë euro sa ishte në dhjetor 2014m thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. Në anën tjetër, emetimi i fletëobligacioneve shënoi rritje në numër dhe vlerë gjatë vitit 2015 krahasuar me vitin paraprak. Deri në dhjetor 2015, u emetuan 7 fletëobligacione qeveritare në vlerë prej 119.95 milion euro krahasuar me 4 të tilla në vlerë prej 52.0 milionë euro deri në dhjetor 2014.
Për më tepër, gjatë vitit 2015 për herë të parë janë emetuar tri obligacione qeveritare me afat maturimi 3 dhe 5 vite. Struktura e letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovë, sipas afatit të maturimit, u karakterizua me ndryshime të theksuara gjatë viteve të fundit.
Gjatë katër viteve të fundit, letrat me vlerë me maturitet afatshkurtër kanë ndjekur trend të theksuar rënës kundrejt zgjerimit të theksuar të peshës së letrave me maturitet afatgjatë, thuhet në raport. Në dhjetor 2015, bonot e thesarit me afat maturimi 364 ditë zgjeruan pjesëmarrjen në 37.6 për qind, duke u shndërruar në kategorinë kryesore të strukturës së letrave me vlerë. Kjo paraqet një ndryshim të theksuar në strukturën e letrave me vlerë krahasuar me katër vite më parë kur kategoria kryesore, me pjesëmarrje prej 73.2 për qind, ishin bonot e thesarit me afat maturimi 91 ditë. Kategoria e dytë për nga pesha, me pjesëmarrje prej 22.2 për qind, në dhjetor 2015 ishin bonot e thesarit me afat maturimi 182 ditë, që paraqet kategorinë e cila u karakterizua me ngushtimin më të theksuar të peshës në gjithsej strukturë e letrave me vlerë krahasuar me vitin paraprak.
Fletëobligacionet qeveritare me afat maturimi dy vite në dhjetor 2015 zgjeruan pjesëmarrjen në strukturën e letrave me vlerë në 18.8 për qind, duke u radhitur kështu në kategorinë e tretë për nga pesha. Obligacionet qeveritare me afat maturimi 3 dhe 5 vite së bashku përbënë 11.3 për qind të gjithsej strukturës, edhe pse për herë të parë filluan të emetohen në vitin 2015. Këto zhvillime reflektojnë orientimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës drejt zgjerimit të afatit të maturimit të letrave me vlerë. Që nga themelimi i tregut të letrave me vlerë në vitin 2012, shuma e ofertuar në shumicën e rasteve ka tejkaluar shumën e shpallur në ankande nga Departamenti i Thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave, thuhet në raport.