Qeveria e Prizrenit vit pas viti abuzon me buxhetin lokal
Prishtinë, 19 gusht - Në kuadër të projektit të monitorimit të punës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe ka shqyrtuar të gjeturat e Raportit të Auditimit për Pasqyrat Financiare të Komunës së Prizrenit në vitin 2012 me një vështrim retrospektiv edhe në raportet e viteve 2011, 2010, 2009 dhe 2008.
Të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) për vitin 2012 kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura nga monitoruesit e EC Ma Ndryshe se qeveria lokale nuk ofron një performancë gjithaq të mirë gjatë menaxhimit të buxhetit komunal. Ngjashëm në vitin 2011 Auditori kishte konstatuar se Komuna nuk ka arrit të ndërtoj një strukturë të mirë të qeverisjes".
Raportet e Auditimit të viteve paraprake dëshmojnë se Komuna e Prizrenit në të shumtën e rasteve i ka injoruar rekomandimet e këtij autoriteti shtetëror dhe ka vazhduar me shkelje dhe keqmenaxhim të buxhetit publik.
EC Ma Ndryshe gjatë vështrimit të raporteve të Auditimit ka vërejtur se gabimet e Komunës po përsëriten qe një kohë të gjatë.
Në raportin e Auditimit të 2012-ës thuhet se rekomandimet e këtij autoriteti shtetëror të vitit 2011 nuk janë trajtuar në nivelin e kërkuar nga Komuna, ngase vetëm dy prej tyre ishin adresuar plotësisht dhe gjysma tjetër nuk ishin trajtuar fare.
ZAP në vitin 2010 kishte dhënë 10 rekomandime, prej të cilave në vitin 2011 vetëm 2 rekomandime janë adresuar plotësisht, ndërsa 8 të tjera nuk janë adresuar fare.
Në raportin e auditimit të PVF-ve për vitit 2009 ZAP ka dhënë 12 rekomandime, ku vetëm katër ishin adresuar plotësisht në 2010-ën.
Auditori për vitin 2008 kishte dhënë 7 rekomandime dhe një vit më pas ka vërejtur se Komuna e Prizrenit ka zbatuar pjesërisht 2 prej tyre, ndërsa 5 të tjera kanë mbetur të pa adresuara.
Rekomandimet e ZAP-it në të shumtën e rasteve kanë identifikuar dobësi të shumta në lidhje me realizimin e buxhetit, arkëtimin e të hyrave vetanake, sistemin e prokurimit publik, menaxhimin e detyrimeve dhe menaxhimin e pasurive.
Për shembull, edhe pse auditimi i të hyrave vetanake në vitin 2008 kishte theksuar se zvogëlimi i shumës për qiranë e një dyqani në pronësi të Komunës përbën një shkelje të kushteve të kontratës, në vitin 2012 Auditori përsëri ka hasur në një rast kur komuna e aplikon të njëjtën praktikë.
Pastaj komuna në disa raste ka lidhur kontrata me qiramarrës që nuk kanë paguar qiranë, asnjëherë, duke dëmtuar buxhetin për dhjetëra mijëra euro.
Tatimi në pronë është rrëfim në vete, ku Auditori për çdo vit ka tërhequr vërejtjen për mangësitë që nuk janë adresuar si duhet nga komuna dhe si rrjedhojë borxhet e pa mbledhura nga tatimi në pronë për vite me radhë kalojnë shifrën prej 5 milionë eurosh.
Fusha e prokurimit gjithashtu, shoqërohet me shumë parregullsi, të cilat shprehen sidomos në mos respektimin e kritereve në dosjet e tenderëve, pagesat e shërbimeve para pranimit teknik dhe shkeljet e dispozitave të ndryshme të Ligjit për Prokurim Publik.
Po ashtu ekzistojnë dobësi në proceset e planifikimit, menaxhimit dhe monitorimit të zbatimit të kontratave për investime kapitale të komunës.
Ndërsa shpërndarja e subvencioneve pa kritere të përcaktuara për përfituesit, menaxhimi i pasurisë së komunës në shpërputhje me Udhëzimin Administrativ nr.21/2009, sikurse edhe dobësitë në menaxhimin e burimeve njerëzore janë vetëm disa nga të gjeturat e përsëritura të auditorëve që nuk janë trajtuar në mënyrë serioze nga komuna e Prizreni.
Në bazë të këtij vështrimi EC Ma Ndryshe konstaton se mos adresimi i rekomandimeve të ZAP-it nga ana e komunës së Prizrenit ka bërë që problemet e njëjta të përsëriten vit pas viti në dëm të buxhetit lokal. EC Ma Ndryshe njëjtë sikurse ZAP-i shpreh shqetësimin për të gjitha rekomandimet e pa zbatuara nga ana e komunës së Prizrenit.
EC Ma Ndryshe rekomandon, që:
-Komuna të tregoj përkushtim shumë më të lartë për zbatimin e rekomandimeve të dala nga raportet e auditimit në 5 vitet e fundit;
-Anëtarët e KK-së që të ushtrojnë presion më të madh te ekzekutivi komunal për zbatimin e rekomandimeve të ZAP-it;
- Të ndërmerren veprime serioze për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit brenda komunës së Prizrenit, në të gjitha fushat e identifikuara nga ZAP-i;
- Të rritet transparenca në vendimmarrje me qëllim të menaxhimit më të mirë të parasë publike.