15 Nëntor 2024

Qeveria e përkushtuar për krijimin e politikave më të mira pensionale

Prishtinë, 23 mars - Qeveria e Kosovës ka miratuar sot koncept-dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se qëllimi kryesor është që të krijohen politika më të mira pensionale për qytetarët e Kosovës dhe shtetasit e huaj të cilët jetojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme në Kosovë.

“Përmes kësaj politike ne propozojmë që të ndryshohet dhe të plotësohet Ligji 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti. Ndryshimet konsistojnë kryesisht në skemën e pensionit bazik të moshës. Pensioni bazik i moshës si pension universal të cilin nuk e kanë edhe shumë vende në Evropë, i cili u ofrohet gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh se a realizojnë të hyra apo jo, do të riemërohet në pension social, në pension të shtetit apo asistencë të pleqësisë. Pensioni social apo pensioni i shtetit nënkupton që të gjithë qytetarët e Kosovës duke i përfshirë edhe të huajt të cilët janë banorë të përhershëm dhe që jetojnë në mënyrë të pandërprerë në Kosovë kanë mbushur moshën 65 vjeçare dhe të cilët nuk posedojnë të hyra tjera mbi vlerën minimale të pensionit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës do të kenë të drejtë të realizimit të drejtave në përfitime nga skema e pensionit social apo pensionit të shtetit”, tha Abrashi.

Ministri Abrashi po ashtu tha se për të pasur efekt më të mirë kjo skemë pensionale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me institucionet tjera publike do të ndërmarrë masa për monitorimin në mënyrë të vazhdueshme mbi adresat e vendbanimit të përhershme të pensionistëve.

“Kjo masë ka për qëllim parandalimin e keqpërdorimit të pensioneve nga ata qytetarë të cilët deklarojnë se jetojnë në Kosovë, por sipas gjendjes faktike jetojnë jashtë vendit. Shikuar në aspektin financiar ky koncept-dokument do të ketë përfitime pozitive. Buxheti i Kosovës do të përfitonte me reduktimin e shpenzimeve të cilat do të arrihen të realizohen nga monitorimi dhe inspektimi i pensionistëve, qytetarëve, të cilët tentojnë të paraqesin dëshmi të rreme se janë banorë të përhershëm të Kosovës apo mos paraqitjen e rasteve të vdekjeve. Me aprovimin e kësaj politike dhe hyrjen në fuqi të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti do të kursehet nga Buxheti i Kosovës së paku 10 milionë euro në vit të dedikuara për skemën e pensioneve të moshës, shumë kjo e cila mund të shfrytëzohet për implementimin e skemave tjera pensionale, sikur pensioni familjar apo pensioni invalidor i punës”, tha ministri Abrashi, duke shtuar se sipas këtij opsioni do të arrihet të ulet presioni mbi financimet “ad hoc” dhe financimet shtesë në fund të vitit

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)