Qeveria e miratoi Planin Strategjik për rezervat shtetërore të mallrave
Prishtinë, 28 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot Planin Strategjik dhe Programin vjetor 2019-2021 për rezervat shtetërore të mallrave.
Arsyeja për aprovim të Planit Strategjik dhe Programit vjetor për rezerva shtetërore të mallrave, është përcaktimi i produkteve më të rëndësishme, kryesisht në furnizim dhe deponim me grurë, naftë dhe produkte tjera me prioritet për nevoja të rezervës shtetërore.
Gruri dhe nafta, si produkte më strategjike, lëndë e parë, do të mbeten edhe në të ardhmen si produkte parësore me prioritet në furnizim dhe deponim, ndërsa produktet tjera do të furnizohen në bazë të mundësive buxhetore, të cilat i ndanë Qeveria e Kosovës.
Po ashtu, është miratuar vendimi për aprovimin e kërkesës së Komunës së Obiliqit për marrjen në shfrytëzim të parcelës nr.0810-0 në pronësi të Ndërmarrjes Publike “Korporata Energjetike e Kosovës” Sh.A.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar edhe raportin vjetor mbi performancën e Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky raport përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë ofron një pikëpamje të performancës së sektorit të Ndërmarrjeve publike në tërësi gjatë viti 2017, pjesa e dytë ka të bëjë me çështjet e qeverisjes së korporatave dhe pjesa e tretë përmbledhë rezultatet individuale të ndërmarrjeve.
Po në këtë mbledhje është miratuar kërkesa për emërimin e z. Sami Istrefi, Avokat i Përgjithshëm Shtetëror në Avokaturën Shtetërore te Republikës së Kosovës, si dhe u miratua në parim propozimi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale, të vazhdohet pagesa e pensioneve për ish pjesëtarët e TMK-së, FSK-së, si dhe për një kategori të personave me aftësi të kufizuar ashtu siç ka qenë deri më tash.